OKB miraton rezolutën historike për drejtësi, për të mbijetuarat nga sulmet seksuale

Botë | 4 vite më parë

OKB ka miratuar një rezolutë, e cila konsiderohet si historike, kundër sulmeve seksuale e cila synon të sigurojë akses në drejtësi për viktimat e një abuzimi të tillë.  Votimi u mirëprit me ovacione dhe duartrokitje nga të pranishmit.

Në tekstin, i cili u miratua me konsensus, Asambleja e Përgjithshme e OKB u kërkon vendeve të marrin masa efektive, brenda kuadrit të ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar, për të ndihmuar viktimat dhe të mbijetuarat e dhunës seksuale që të kenë akses në drejtësi.

Kjo është hera e parë që OKB-ja ka miratuar një rezolutë të pavarur që njeh përdhunimin në kohë paqeje, sipas Amanda Nguyen, themeluese e një OJQ .

“Ajo që po u kërkojmë njerëzve nuk është vetëm të kuptojnë se stigma e përdhunimit është diçka që duhet hequr, por edhe të shikohen në pasqyrë dhe të pyesin: çfarë keni bërë për këtë”, tha ajo.

Një ekspozitë në selinë e organizatës në Nju Jork me titull “Çfarë kishe veshur?” qëndroi për ditë të tëra e hapur për të theksuar se veshja e viktimës nuk duhet të ketë asnjë ndikim në hetimet për përdhunim.

Pantallona të shkurtra, fustane, madje edhe rrobat e banjës së një vajze të vogël u ekspozuan në 103 manekine në sallën e selisë së OKB-së nga mesi i korrikut deri të premten.

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme