Stoltenberg: NATO do të rrisë me 300 mijë trupa numrin e forcave në gatishmëri të lartë

“Rrugës” për në Samitin e NATO-s në Madrid , Jens Stoltenberg njofton se përballë ” kërcënimit të afërt” të Rusisë për sigurinë evropiane, Aleanca do të rrisë në 300,000 trupa numrin e forcave të saj në gatishmëri të lartë. Samiti pritet të cilësojë Rusinë si një “kërcënim të menjëhershëm”, duke forcuar më tej krahun lindor të NATO-s , teksa Stoltenberg foli për një samit “transformues” që do të marrë një sërë vendimesh kyçe.
“Ne do të transformojmë forcën e reagimit të shpejtë të NATO-s dhe do të rrisim numrin e forcave tona të nivelit të lartë në mbi 300,000“, tha Jens Stoltenberg në një konferencë shtypi në Bruksel përpara samitit.
Forca e Reagimit të Shpejtë e NATO-s aktualisht përbëhet nga 40,000 trupa.
Stoltenberg tha po ashtu se “gjurma e re ushtarake” e NATO-s do të “përmirësonte në mënyrë drastike” mbrojtjen në krahun lindor të Aleancës, duke vënë në dukje se njësitë luftarake në lindje do të forcoheshin në nivel brigade.
Forca e Reagimit të Shpejtë e NATO-s bashkon forcat tokësore, detare dhe ajrore, me planin për të siguruar rritje të menjëhershme në rast të një sulmi. Pas pushtimit rus të Ukrainës, disa forca u vunë në gatishmëri të lartë për herë të parë.
Në të njëjtën kohë, ka plane për të vendosur më shumë njësi luftarake në Bullgari , Hungari , Rumani dhe Sllovaki.
“Doktrina e re Strategjike do të na udhëheqë në një epokë të konkurrencës strategjike”, tha Stoltenberg, duke shtuar se aleatët pritet të caktojnë Rusinë si kërcënimin më të rëndësishëm dhe të menjëhershëm për sigurinë e tyre./ CNN.gr
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




