Putin hedh poshtë si “idiote” sanksionet perëndimore të “Luftës rrufe”

Botë | 4 vite më parë

Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi Perëndimin të premten për arrogancë koloniale dhe përpjekje për të shtypur vendin e tij me sanksione “idiote” që përbënin një “Luftë rrufe” ekonomike.

Duke iu drejtuar Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut, një ngjarje vitrinë që po mbahet këtë vit me pothuajse asnjë pjesëmarrje perëndimore, ai i tha elitës politike dhe ekonomike të Rusisë:

“Ne jemi njerëz të fortë dhe mund të përballojmë çdo sfidë. Ashtu si paraardhësit tanë, ne do të zgjidhim çdo problem, e gjithë historia mijëravjeçare e vendit tonë flet për këtë.”

Putini tërhoqi duartrokitjet nga salla kur riafirmoi vendosmërinë e tij për të vazhduar “operacionin special ushtarak” në Ukrainë që ka lëshuar atë që ai tha se ishte një breshëri “të paprecedentë” sanksionesh ekonomike perëndimore.

Ai tha se qëllimi kryesor i inkursionit ishte mbrojtja e popullit “tonë” në rajonin kryesisht rusishtfolës Donbas të Ukrainës lindore – një justifikim që Kievi dhe Perëndimi e hedhin poshtë si një pretekst të pabazë për një luftë që tashmë ka çuar në pushtimin e pjesë të Ukrainës jugore përtej Donbasit.

Putin tha se ushtarët rusë në Donbas po luftonin gjithashtu për të mbrojtur “të drejtat e Rusisë për të siguruar zhvillim”.

“Perëndimi në thelb ka refuzuar të përmbushë detyrimet e tij të mëparshme, doli të ishte thjesht e pamundur të arrihej ndonjë marrëveshje e re me të,” tha Putin.

“Në situatën aktuale, në një sfond të rreziqeve në rritje për ne dhe kërcënimeve, vendimi i Rusisë për të kryer një operacion special ushtarak ishte i detyruar – i vështirë, natyrisht, por i detyruar dhe i domosdoshëm.”

Putin tha se Shtetet e Bashkuara e konsideronin veten “emisarin e Zotit në Tokë” dhe se sanksionet perëndimore u themeluan mbi një premisë të rreme se Rusia nuk kishte sovranitet ekonomik.

Uashingtoni dhe aleatët e tij po përpiqeshin të “ndryshonin rrjedhën e historisë”, tha ai, për të dobësuar një Rusi sovrane dhe të pavarur.

Pak para se Putini të fillonte të fliste, Kremlini njoftoi se një sulm kibernetik “mohimi i shërbimit” kishte çaktivizuar sistemet e akreditimit dhe pranimit të konferencës, duke e detyruar atë të vononte me një orë fillimin e planifikuar të fjalimit të tij.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme