Rusisë mund t’i duhen 10 vjet për t’u rikuperuar nga sanksionet, thotë thotë një biznesmen i lartë rus

Botë | 4 vite më parë

Ekonomisë së Rusisë mund t’i duhet një dekadë për t’u rikuperuar nga sanksionet dërrmuese të vendosura ndaj vendit pas pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022, sipas një prej biznesmenëve kryesorë të Rusisë,  shkruan Sky News.

Kthimi në nivelet para sanksioneve mund të zgjasë gati 10 vjet pasi vendi mbetet i shkëputur nga gjysma e tregtisë së tij, tha German Gref, shefi i Sberbank, banka më e madhe e Rusisë.

Gref vlerësoi të premten se kombet që kanë ndërprerë lidhjet me Rusinë ishin përgjegjëse për 56% të eksporteve dhe 51% të importeve të saj, duke dëmtuar ekonominë e vendit.

“Ky është një kërcënim për 15% të prodhimit të brendshëm bruto të vendit, pjesa më e madhe e ekonomisë është nën zjarr”, tha zoti Gref, duke folur në forumin vjetor ekonomik ndërkombëtar të Rusisë në Shën Petersburg.

Dhjetra korporata shumëkombëshe u tërhoqën nga Rusia në vazhdën e pushtimit të saj në Ukrainë, ndërsa një grup i madh vendesh ndërprenë aksesin e Rusisë në rrjetin financiar ndërkombëtar dhe sekuestruan prona, jahte dhe avionë privatë që i përkisnin aleatëve të Presidentit Vladimir Putin.

Izolimi ekonomik i vendosur ndaj Rusisë shkaktoi rënien e tregut të aksioneve dhe rublës dhe rritjen e kostos së sendeve shtëpiake dhe e shtyu qeverinë të vendosë kontrolle të rrepta të kapitalit. Banka qendrore e Rusisë ngriti gjithashtu normën e interesit nga 9.5% në 20%, përpara se ta ulte sërish në qershor.

Si rezultat i sanksioneve, dhe “nëse nuk bëjmë asgjë – mund të na duhet rreth një dekadë për ta kthyer ekonominë në nivelet e vitit 2021”, tha Gref, sipas Reuters.

Shefi ekzekutiv bëri thirrje gjithashtu për reforma strukturore në ekonominë ruse.

Rusia ka vuajtur nga ndërprerja e arterieve të saj kryesore logjistike – anijeve ruse iu ndalua hyrja në portet e Bashkimit Evropian, ndërsa sanksionet mbyllën hapësirën ajrore mbi Evropë për linjat ajrore ruse.

Sipas z. Gref, dërgesat e mallrave kanë rënë me gjashtë herë.

Në maj, Britania njoftoi sanksione të reja që synojnë tregtinë me Rusinë në vlerë prej 1.7 miliardë paund, në një përpjekje për të “dobësuar më tej makinën luftarake të Putinit”.

Ato përfshijnë tarifa shumë më të larta për importet me vlerë 1.4 miliardë paund nga Rusia dhe ndalimet e eksporteve në vend që kapin vlerën e 250 milionë paund në vit.

Masat, të shpallura nga kancelari Rishi Sunak dhe sekretarja e tregtisë Anne-Marie Trevelyan, nënkuptojnë se vlera totale e produkteve që i nënshtrohen sanksioneve të importit ose eksportit të plotë ose të pjesshëm që nga pushtimi i Ukrainës është më shumë se 4 miliardë paund.

BE gjithashtu njoftoi së fundmi planet për të ndaluar blerjet e naftës dhe gazit rus, i cili aktualisht po mbledh më shumë se 1 miliard dollarë në ditë për vendin e goditur. (Sipas Sky News)


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme