Akuzohej për shitje të lëndëve narkotike afër shkollave, arrestohet 28-vjeçari në Tiranë, i sekuestrohen 2 pistoleta dhe municion luftarak

Aktualitet | 35 minuta më parë

Një 28-vjeçar i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor “Shkolla të pastra” është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi u kap në banesë me armë zjarri dhe lëndë narkotike.

Në vijim të informacionit të siguruar gjatë punës operative për vendndodhjen e të riut, i cili dyshohej se mbante armë dhe drogë në banesë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, organizuan ndërhyrjen.

Kontrolli u krye në një banesë në rrugën “Rreshit Petrela”, ku u arrestua në flagrancë shtetasi O. F., 28 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit, policia sekuestroi: 2 pistoleta dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se mbaheshin pa leje; 363 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, të ndarë në 235 doza; 1 peshore elektronike.

Sipas Policisë, droga dyshohet se mbahej me qëllim shitjen. 28-vjeçari ishte shpallur më herët në kërkim, pasi Gjykata e Tiranës i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në kuadër të operacionit “Shkolla të pastra”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme