Algjeria rezolute në KS për Gazën – SHBA paralajmëroi se do të vendosë veton gjatë votimit më 20 shkurt

Botë | 3 vite më parë

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se do të vënë veton ndaj një votimi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që kërkon armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza. Algjeria paraqiti një projekt-rezolutë dy javë më parë dhe kërkon që të votohet më 20 20 shkurt, por ambasadorja amerikane në OKB Linda Tomas-Grifilld tha se dokumenti mund të rrezikojë negociatat që synojnë ndërmjetësimin e një ndalimi të luftimeve të shkaktuara nga masakra e Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar në Izraelin jugor.

Bisedimet midis Shteteve të Bashkuara, Egjiptit, Izraelit dhe Katarit po vazhdojnë për të kërkuar një armëpushim të përkohshëm dhe lirimin e 130 pengjeve që mbahen ende nga grupi militant palestinez në Gaza. Dokumenti që të miratohet ka nevojë për të paktën 9 vota pro nga 15 anëtarët e Këshillit dhe të mos vihet veto nga SHBA, Britania, Franca, Kina apo Rusia.

Uashingtoni, që tradicionalisht ka mbështetur Izraelin pas sulmit të Hamasit, ka vendosur dy herë veton ndaj rezolutave të Këshillit të Sigurimit që nga fillimi i luftës më 7 tetor. Votimi në Këshillin e Sigurimit pritet të mbahet në një kohë që Izraeli planifikon të sulmojë qytetin më jugor të Gazës, Rafah, ku janë strehuar mbi një milion njerëz.

Situata në atë zonë ka shkaktuar shqetësim ndërkombëtar për një përkeqësim të krizës humanitare. Ndërkohë pakënaqësia ndaj qeverisë së Netanjahut vijon të rritet. Tel Avivi u përfshi nga protesta të mëdha antiqeveritare, ku u kërkua largimi i kryeministrit.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme