Ambasadori i ri amerikan, Berisha: SHBA do të japë një ndihmë thelbësore për çmontimini e narkoshtetit

Politikë | 48 minuta më parë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar nisjen e misionit të ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt. Gjatë një bashkëbisedimi në rrjetet sociale me qytetarët, Berisha tha se administrata amerikane do të japë një ndihmë të rëndësishme në luftën kundër grupeve të trafikut të drogës.

Ai tha se vendosja e karteleve të drogës në kategorinë e grupeve terroriste nga Presidenti Donald Trump dhe administrata e tij krijon, sipas tij, mundësi për një angazhim më të madh të SHBA-së në këtë drejtim.

“Së pari i uroj mirëseardhjen ambasadorit dhe theksoj këtu se beteja kundër narkoshtetit është një betejë shumë e vështirë.  Ne jemi i vetmi vend në Europë, ne jemi njëlloj si Guinea-Bissau që ishte vendi i parë dhe i vetëm narkoshtet në Afrikë, ne u bëmë vendi i parë dhe i vetëm narkoshtet në Evropë. Dhe unë kam besim se me pozicionimin dhe kualifikimin që iu ka bërë presidenti Trump dhe administrata e tij karteleve të drogës si grupe terroriste, Shtetet e Bashkuara do japin një ndihmë substanciale për luftën kundër këtyre karteleve dhe çmontimin e narkoshtetit në Shqipëri.

Sekretari Rubio, edhe një herë të dashur miq, në mesazhin e tij të urimit për shqiptarët Ditën e Pavarësisë, e konsideron luftën kundër karteleve të drogës dhe bashkëpunëtorëve të këtyre karteleve, po dihet se kush janë bashkëpunëtorët, si kritike për sigurinë e qytetarëve të Shteteve të Bashkuara.  Sepse në fakt këto kartele, kartelet shqiptare janë një rrezik jo vetëm për Shqipërinë, por Evropën, për hemisferën perëndimore dhe mbarë botën”, tha Berisha.

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, nisi zyrtarisht këtë të shtunë misionin e tij diplomatik në vendin tonë. Wendt i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, ndërsa zhvilloi edhe një takim kokë më kokë me kreun e shtetit në Pallatin e Brigadave.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme