RTSH nis një kapitull të ri, me identitet të ri vizual. Projekte të reja për sezonin televiziv

Një identitet i ri vizual dhe një sezon i ri televiziv. Radio Televizioni Shqiptar prezantoi këtë të mërkurë, 16 shtator, projektet dhe vizionin e ri në një ceremoni të zhvilluar në hollin “Gjon Simoni” të institucionit, duke shënuar një tjetër hap në rrugëtimin e tij drejt një pamjeje më moderne dhe dinamike.
Në ceremoninë e zhvilluar me rastin e identitetit të ri të RTSH-së dhe nisjes së sezonit të ri televiziv ishin të pranishëm anëtarë të kabinetit qeveritar si Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja dhe Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, gazetarë, artistë dhe figura publike nga bota e artit dhe televizionit.
RTSH vjen me një identitet më të gjerë vizual, që synon të krijojë një përvojë të freskët dhe më të unifikuar për teleshikuesit, në ekran dhe në platformat digjitale. RTSH po hyn në një periudhë me projekte të reja dhe mundësi të zgjeruara për publikun, përfshirë edhe platformën OTT, e cila synon t’i afrojë përmbajtjet televizive me mënyrën e re të konsumimit të medias.
Me një ofertë që shtrihet përtej transmetimit tradicional, institucioni synon të jetë më pranë audiencave të ndryshme dhe të përshtatet me zhvillimet e teknologjisë.
Sezoni i ri televiziv sjell një sërë risish në programacion, me përmbajtje që i drejtohen grupmoshave dhe interesave të ndryshme.
Spektaklet, filmat, dokumentarët dhe programet për fëmijë do të jenë pjesë e ofertës së re të RTSH-së. Krahas tyre, aktualiteti dhe debati politik do të vijojnë të zënë një vend të rëndësishëm në ekran, me programe të dedikuara në oraret prime time të transmetimit.
Personazhe të rinj, formate të reja dhe një qasje më bashkëkohore synojnë t’i japin sezonit një ritëm tjetër, duke ruajtur njëkohësisht larminë e përmbajtjeve që ofron televizioni publik.
Me një identitet të ri vizual dhe projekte të reja në ekran e në platformat digjitale, RTSH hap sezonin e ri si një institucion që vijon të evoluojë bashkë me publikun e tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




