Anketimi TALIS për mësuesit, Rama: Rezultate pozitive. Objektiv, reforma kurikulare dhe integrimi i teknologjisë në mësimdhënie

Shqipëria ka arritur rezultate inkurajuese në TALIS (Anketa Ndërkombëtare e Mësimdhënies dhe të Nxënit), një studim i OECD-së që mat cilësinë e arsimit në nivel global. Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të raportit të OECD për rezultatet e këtij testimi, nënvizoi se mësuesit shqiptarë janë renditur mirë ndër 55 sisteme arsimore të Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera të Evropës.
Rama theksoi se është inkurajuese që mësuesit shqiptarë kanë një përfshirje më të lartë me teknologjinë krahasuar me mesataren globale, një sukses i madh për Shqipërinë.
Ndër objektivat për të ardhmen, Kryeministri Rama vuri theksin në reformën kurikulare që do të fokusohet më shumë në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, si dhe integrimin e inteligjencës artificiale (AI) në procesin mësimor.
“Mes 55 sistemeve arsimore të BE dhe vendeve të Evropës përtej BE-së, mësuesit tanë kanë dalë mirë. Në këtë anketim shumë sfidues, ka disa të dhëna pozitive shumë inkurajuese edhe për objektivat që kemi. Duke pasur parasysh nevojën për të nxitur më tutje teknologjinë është inkurajuese që mesatarja e mësuesve tanë që kanë lidhje me përdorimin e teknologjisë është më e lartë se mesatarja e të gjithë sistemeve të marra sëbashku në këtë anketim. Përpjekjet që kemi bërë partneritetin mes shkollës, prindërve dhe nxënësve duke nxitur ndërveprimin mes tyre, reflektohet si një element më pozitiv se sa mesatarja e sistemeve të anketuara.
Mbështesja e mësuesve të rinj, ulja e ngarkesës së punë në funksion të rritjes së mundësisë për të punuar më cilësisht si dhe integrimi i gjithnjë e më i madh i teknologjisë përfshirë edhe AI në praktikat e klasës janë objektiva që duhet t’i ndjekim bashkërisht. Jemi të vetëdijshëm për reformën kurikulare e arsimit parauniversitar, theksi i fortë që do i vëmë shkencës, teknologjisë, të nxisim më shumë inxhinierinë dhe matematikën dhe të integrojmë sa më shumë AI në procesin mësimor”, tha Rama.
Megjithatë në anketim u ngritën edhe disa pika shqetësuese, për të cilat kryeministri Rama tha se janë sinjale që qeveria t’i marrë për të punuar dhe rritur mbështetjen dhe bashkëveprimin me mësuesit për adresimin e tyre.
“Po ashtu ka një shqetësim që reflektohet edhe ne anketim, një pjesë e mësuesve të rinj, posaçërisht ato nën 30 vjeç, raportojnë se mund ta lënë profesionin nëse nuk do të dihen të mbështetur dhe motivuar mjaftueshëm. Ky është një sinjal që ne e marrim shumë seriozisht. Balancimi i kohës në mësimdhënie dhe detyrave administrative duhet ta adresojmë bashkërisht që shprehet si shqetësim mes mësuesve. Zhvillimi profesional dhe pjesëmarrja e tyre sistematike në trajnime për të përmirësuar cilësinë dhe rritur ndikimin e mësuesve në procesin mësimor është objektiv që konfirmohet edhe nga anketimi”, tha Rama.
Po ashtu, ai kërkoi rritjen e vetëdijes për rëndësinë e tranzicionit të gjelbër dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për të luftuar urrejtjen që përhapet në rrjetet sociale.
Në përfundim, Rama theksoi se vënia e autoritetit të mësuesit në vend është një nga sfidat më të mëdha të arsimit sot, por e nevojshme për të siguruar një sistem edukativ cilësor dhe të qëndrueshëm për të rinjtë e Shqipërisë.
“Të punojmë më shumë për të vetëdijesuar nxënësit për atë që është kryefjala e BE që është tranzicioni i gjelbër dhe nënkupton rritje të përgjegjësisë individuale në raport me mjedisin si dhe tolerancën e bashkëpunimit me të tjerët për të lehtësuar ngarkesën që të rinjtë marrin në formën e urrejtjes nga rrjetet sociale. Vënia e autoritetit të mësuesit në vend është një sfidë e madhe e kësaj kohe”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





