Antigonea, një thesar historik, tërheq vëmendjen e vizitorëve

Turizëm | 1 vit më parë

Mes peizazheve të gjelbëruara  të zonës  dhe gurëve antikë që mbartin histori mijëravjeçare, Parku Arkeologjik i Antigones është kthyer këtë verë në një nga destinacionet më të frekuentuara nga turistët vendas dhe të huaj. Rritja e vizitave po jep fryte jo vetëm për promovimin e trashëgimisë kulturore, por edhe për ekonominë vendase.

Drejtuesi i parkut, Shkëlqim Guçe, thotë se janë marrë masa konkrete për mirëpritjen e turistëve dhe ruajtjen e mjedisit, ndërsa thekson se ky destinacion po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një pikë referimi të rëndësishme për turizmin kulturor të luginës së Drinos.

“Numri i vizitorëve në Antigone në përgjithësi ka qenë e mirë krahasuar me vitin që lamë pas. Kemi një rritje të numrit të turistëve dhe vizitorëve”, tha Guçe.

Parku i Antigones mbetet një dëshmi e gjallë e qytetërimeve të hershme dhe një destinacion që kombinon historinë me natyrën. Rritja e numrit të vizitorëve është një sinjal pozitiv për vëmendjen që po i kushtohet pasurive tona arkeologjike. Rrënojat e qytetit antik, janë sot një dritare e hapur drejt së shkuarës, që fton çdo vizitor të prekë nga afër historinë. Ky është një moment ideal për të promovuar më fort turizmin kulturor dhe për të investuar më shumë në ruajtjen e trashëgimisë sonë.

Gazetare: Boralda Pëllumbi   

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme