Arkitektura dhe Urbanistika më të kërkuarat, plotësohen 71% e kuotave në Universitetin Politeknik
Ashtu si në dy vitet e fundit, edhe këtë vit degët inxhinierike janë ndër më të kërkuarat.
Ato kryesojnë listën e renditjes së programeve të studimit nga maturantët. Rektori i Universitetit Politeknik, Akli Fundo, sqaron se në total janë ezauruar 71% e kuotave, ndërsa Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës i ka plotësuar të gjitha vendet bosh.
“Këtë vit numri i regjistrimeve është më i madh. Kemi 100 për qind të ezauruara, të plotësuara, kuotat e Fakultetit të Arkitekturës në të tria degët që ai ofron,” thotë rektori Fundo.
Ndër vite, kërkesat janë në rritje, kryesisht për programet që ofron Fakulteti i Arkitekturës, ai i Teknologjisë së Informacionit, i Inxhinierisë Elektrike dhe i Ndërtimit, por edhe për dy programet e reja që do të ofrohen për herë të parë këtë vit në bashkëpunim me Universitetin e Teknologjisë të Kompienjës [org. Compiègne] në Francë.
“Ne sivjet hapim kampusin e Universitetit të Teknologjisë të Kompienjës në Universitetin Politeknik të Tiranës, domethënë hapim dy dubël-diploma: Inxhinieri Kompjuterike dhe Inxhinieri të Sistemeve Elektronike. Kërkesat, si në të gjitha degët e Universitetit Politeknik të Tiranës, kanë qenë shumë të larta. Te Inxhinieria Kompjuterike kanë qenë mbi 1.400 kërkesa për 24 vende,” shpjegon z. Fundo.
Pjesa tjetër e kuotave pritet të plotësohet gjatë raundit të dytë.
“Kemi kuota të lira në disa fakultete: në Fakultetin e Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike, ku ofrojmë një nga degët më trendi që janë sot, Inxhinierinë Matematike dhe ‘Data Science’; në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave; dhe në fakultetet e tjera, por në sasi më të vogël të kuotave,” tregon drejtuesi i Universitetit Politeknik.
Rektori ka sqaruar se, edhe pse kërkesat janë më të mëdha, kuotat kanë mbetur në të njëjtat shifra me qëllim që t’u ofrohet të gjithë studentëve cilësia e duhur në mësimdhënie.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





