Mori para për të lejuar shkeljen e arrestit shtëpiak, AMP arreston efektivin e policisë në Prrenjas

Aktualitet | 32 minuta më parë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka arrestuar në flagrancë inspektorin Çlirim Torra, me detyrë Specialist i Policimit në Zonë (SPZ) pranë Stacionit të Policisë Prrenjas, në Komisariatin e Policisë Librazhd.

Sipas AMP-së, nga veprimet hetimore ka rezultuar se punonjësi i policisë dyshohet të ketë marrë një shumë parash për të favorizuar shtetasin me inicialet A.R., ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”. Dyshohet se efektivi i ka mundësuar këtij shtetasi shkeljen e masës së sigurisë dhe largimin nga banesa.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, ndaj inspektorit rëndojnë dyshimet për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre”.

Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë mes Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive të personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

AMP thekson se do të vazhdojë të ndjekë me tolerancë zero çdo rast korrupsioni, shpërdorimi detyre apo veprim tjetër që cenon integritetin e strukturave ligjzbatuese në vend.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme