Arrestohet për të dytën herë për zjarrvënie, 76-vjeçari kapet pranë vatrave të zjarrit

Aktualitet | 1 orë më parë

Një 76-vjeçar është arrestuar në Memaliaj, pasi u kap në flagrancë në afërsi të disa vatrave zjarri që dyshohet se i kishte ndezur në fshatin Vasjar, me qëllim pastrimin e tokës. Në pranga ka përfunduar shtetasi Q. Sh., banues në Vasjar, i cili, sipas Policisë, ishte arrestuar edhe më parë për të njëjtën vepër penale.

Ngjarja u regjistrua në vendin e quajtur “Gropa e Dardhës”, ku 76-vjeçari dyshohet se kishte ndezur zjarr në një sipërfaqe toke që e kishte marrë me qira, si dhe në tokë në pronësi të shtetit. Si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën rreth 4000 metra katrorë sipërfaqe, e përbërë nga pyje, kullota dhe toka me bimësi të ndryshme. Policia e Memaliajt ndërhyri pas marrjes së informacionit dhe bëri të mundur kapjen në flagrancë të 76-vjeçarit.

Njoftimi i plotë:

Memaliaj

Kapet në flagrancë, në afërsi të vatrave të zjarrit që dyshohet se ndezi në fshatin Vasjar, një shtetas i arrestuar edhe më parë nga Policia, për të njëjtin krim.

Si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën rreth 4000 m² sipërfaqe toke.

Në vijim të veprimeve intensive hetimore dhe operacionale, të kryera në zbatim të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për parandalimin e rasteve të zjarrvënies, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të tyre, shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj vunë në pranga shtetasin Q. Sh., 76 vjeç, banues në fshatin Vasjar.

Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë, shtetasi Q. Sh. u kap në flagrancë mbrëmë, në afërsi të vatrave të zjarrit që dyshohet se ndezi në sipërfaqen e tokës që kishte me qira dhe në sipërfaqe toke pronë shtetërore, në vendin e quajtur “Gropa e Dardhës”, me qëllim pastrimin e tyre.

Si pasojë u dogjën rreth 4000 m² sipërfaqe toke (pyje, kullota dhe sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme).

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër apelon në mënyrë të përsëritur, për të gjithë qytetarët që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, pasi pasojat mund të jenë të rënda për jetën, shëndetin dhe pronën e tyre. Veçanërisht, Policia apelon për banorët që djegin mbetje apo synojnë të pastrojnë sipërfaqet e tokave nëpërmjet djegies, që të shmangin këto praktika, pasi mund të shkaktojnë përhapjen e pakontrolluar të zjarreve dhe sjellin pasoja penale sipas parashikimeve ligjore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme