“Auditorët do t’ju formojnë si misionarë”, Begaj mesazh magjistratëve të rinj: Profesioni kërkon integritet dhe përgjegjësi

Aktualitet | 46 minuta më parë

Presidenti Bajram Begaj, në fjalën e mbajtur në ceremoninë hapëse të vitit të ri akademik 2026-2027, u ndal te rëndësia e formimit të magjistratëve dhe përgjegjësia që mbart profesioni i tyre në funksionimin e shtetit të së drejtës. Duke iu drejtuar studentëve që kanë zgjedhur rrugën e magjistraturës, Begaj tha se përkushtimi ndaj vlerave, vendosmëria dhe përgjegjësia ndaj shoqërisë janë elemente thelbësore për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe demokratike. Begaj theksoi se zgjedhja e profesionit të magjistratit kërkon më shumë se njohuri juridike, pasi sipas tij, ky profesion lidhet drejtpërdrejt me karakterin, integritetin dhe pjekurinë profesionale.

“Vullneti juaj, përkushtimi ndaj vlerave dhe vendosmëria për t’i shërbyer drejtësisë janë gatishmëria dhe gurthemeli për një shoqëri të drejtë, parimore, të virtytshme, të paqtë dhe të respektueshme. Keni zgjedhur një profesion që kërkon jo vetëm dijen juridike, por kërkon karakter, integritet, pjekuri profesionale dhe ndjenjë përgjegjësie ndaj shoqërisë”, deklaroi kreu i shtetit.

Në fjalën e tij, Presidenti u kërkoi studentëve që auditorët e Shkollës së Magjistraturës të mos i shohin vetëm si hapësira ku do të marrin njohuri profesionale, por si një etapë të rëndësishme të formimit të tyre për përgjegjësinë që do të mbajnë në sistemin e drejtësisë. Sipas Presidentit, roli i magjistratit shkon përtej zbatimit teknik të ligjit. Ai e cilësoi magjistratin si një prej garantuesve kryesorë të të drejtave dhe lirive të qytetarëve, si dhe të rendit kushtetues.

“Këta auditorë nuk duhet t’i shihni e përjetoni thjesht si vende që do t’ju bëjnë profesionistë, por do t’ju formojnë si misionarë. Magjistrati nuk është thjesht specialist i ligjit, por garant i të drejtave dhe lirive të individit dhe mbrojtës i rendit kushtetues”, u shpreh Begaj.

Kreu i shtetit nënvizoi gjithashtu rëndësinë e besimit të qytetarëve te sistemi i drejtësisë, duke e cilësuar atë si një nga asetet më të rëndësishme që duhet të fitohet dhe të ruhet nga institucionet e drejtësisë.

“Magjistratura është një nga shtyllat ku mbështetet besimi i qytetarëve dhe shteti i së drejtës. Aseti më i çmuar i drejtësisë që duhet fituar është besimi i publikut; besimi se çdo individ do të dëgjohet, çdo pretendim do të shqyrtohet me paanshmëri dhe se ligji do të zbatohet me paanshmëri”, deklaroi Begaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme