Bashkëpunimi ushtarak Tiranë–Prishtinë, 10 pjesëtarë të FSK-së nisin kurset profesionale në Kolegjin e Mbrojtjes

Në Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë ka startuar viti i ri akademik për tre kurse profesionale, ku marrin pjesë gjithsej 75 oficerë. Nga ky grup, 65 efektivë i përkasin Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, ndërsa 10 të tjerë vijnë nga radhët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Gjatë ceremonisë zyrtare të hapjes, Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, e cilësoi arsimin profesional ushtarak si shtyllën kryesore për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe modernizimin e forcave të armatosura.
“Asnjë kapacitet ushtarak nuk është më i fortë se njerëzit që e drejtojnë, e përdorin dhe e zhvillojnë atë. Prandaj, investimi në dije, profesionalizëm dhe lidership është një prej investimeve më të rëndësishme që mund të bëjmë për sigurinë dhe mbrojtjen e Republikës.”, tha Nufi.
Bashkëpunimi rajonal dhe sfidat e sigurisë kibernetike
Përfshirja e efektivëve të Kosovës në këto programe arsimore u vlerësua si një hap i mëtejshëm pozitiv drejt konsolidimit të bashkëpunimit bilateral ushtarak ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës.
Ministri Nufi nënvizoi se përballja me kërcënimet hibride, asimetrike dhe sfidat e sigurisë kibernetike kërkon përgatitjen e drejtuesve që kanë aftësi strategjike analitike dhe vendimmarrëse në mjedise komplekse.
“Ambicia jonë nuk është thjesht të jemi pjesë e Aleancës. Ambicia jonë është të jemi një aleat gjithnjë e më i aftë, gjithnjë e më i përgatitur dhe gjithnjë e më kontribuues në sigurinë kolektive dhe sfidat e përbashkëta.”, deklaroi ministri i Mbrojtjes.
Duke iu drejtuar 75 kursantëve, ministri theksoi se përgjegjësia e tyre shkon përtej një programi studimi, pasi përgatitja profesionale lidhet drejtpërdrejt me aftësinë për të udhëhequr, marrë vendime dhe mbajtur përgjegjësi në shërbim të vendit.
“Në uniformë, profesionalizmi është përgjegjësi; lidershipi është shembull; dhe dija merr vlerën e saj të plotë vetëm kur vihet në shërbim të vendit”, u shpreh ministri Nufi.
Në ceremoni morën pjesë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjenerallejtënant Arben Kingji; komandanti i Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë Gjeneralmajor Altin Kurti; Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi; komandantë, pedagogë, instruktorë dhe të ftuar të tjerë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



