BE gjobit kompaninë Google me 2.95 miliardë euro për abuzim me konkurrencën në tregun e reklamave

Botë | 1 vit më parë

Komisioni Europian ka gjobitur gjigantin amerikan të teknologjisë Google me 2.95 miliardë euro, për shkelje të rregullave të konkurrencës në tregun e reklamave online.

Sipas njoftimit zyrtar, Komisioni akuzon Google se ka favorizuar shërbimet e veta të teknologjisë së reklamave, duke abuzuar me pozicionin dominues në treg dhe duke penguar konkurrencën e ndershme.

Komisioni ka urdhëruar kompaninë që të ndalojë menjëherë praktikat e padrejta dhe të zbatojë masa konkrete për të shmangur konfliktet e interesit në zinxhirin e furnizimit të reklamave dixhitale.

Google ka afat 60 ditë për të informuar Komisionin mbi mënyrën se si do të korrigjojë sjelljen e saj.

Nga ana tjetër, kompania ka reaguar duke kundërshtuar vendimin.

Lee-Anne Mulholland, zëvendëspresidente e Google dhe drejtuese globale e çështjeve rregullatore, deklaroi se, “Komisioni ka vendosur një gjobë të pajustifikuar dhe kërkon ndryshime që do të dëmtojnë mijëra biznese evropiane, duke ua vështirësuar atyre fitimin e parave.”

Gjoba ishte planifikuar të shpallej zyrtarisht të hënën nga Shefja e Konkurrencës së BE-së, Teresa Ribera, por vendimi u shty pas ndërhyrjes së Komisionerit të Tregtisë, Maroš Šefčovič, i cili shprehu shqetësimin se masa mund të dëmtonte marrëdhëniet tregtare mes BE-së dhe SHBA-së.

Šefčovič deklaroi më herët këtë javë se ,“Procedurat e brendshme të Komisionit ekzistojnë për një arsye.”

Ky është një nga vendimet më të forta të BE-së kundër një gjiganti teknologjik, duke sinjalizuar një qëndrim më të ashpër ndaj praktikave monopoliste në tregun dixhital.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme