Biçikleta n’ujë të liqenit, ideja e të riut shkodran që po tërheq vizitorë të shumtë

Turizëm | 1 vit më parë

Nga mëngjesi deri në mbrëmje vonë, mbi sipërfaqen e liqenit shihen duke lëvizur biçikleta të veçanta që ofrojnë një mënyrë krejt ndryshe për të shijuar peizazhin. Ky mjet tradicional shkodran është rikthyer me një risi, duke u bërë atraksioni më i ri turistik i qytetit. Ideatori i kësaj risie, Blerti Vejuka, e ka kthyer idenë e tij në realitet falë mbështetjes nga skema e grantit për të rinjtë të Bashkisë Shkodër.

“Pjesa tradicionale e biçikletave që njihemi në qytetin e Shkodrës, bëri që kjo ide të vij më bukur në liqen si një mundësi për pedalim në liqenin më të madh në Ballkan. Turistët kanë mbetur të mahnitur. Mbështetja nga Bashkia Shkodër, ishte e madhe ku fillimisht aplikova tek skema e grantit për të rinj dhe dola fitues“, u shpreh Vejuka.

Drejtoresha e Drejtorisë së Planifikimit Strategjik në Bashkinë Shkodër, Stela Mardusha, thekson se është kënaqësi të shohësh se projektet e mbështetura nga Bashkia arrijnë qëllimin e tyre, duke sjellë ide të reja që e pasurojnë turizmin dhe jetën e qytetit.

“Një projekt që u aplikua në skemën e grantit dedikuar të rinjve dhe rezulton se projekti ka marrë drejtimin e duhur dhe ka shumë interes”, u shpreh Mardusha.

Bashkia Shkodër do vijoje mbështetjen e të rinjve me ide inovative e biznese të reja, me synim zhvillimin e turizmit, promovimin e territorit dhe krijimin e shërbimeve që i japin më shumë gjallëri komunitetit dhe vizitorëve.

Gazetar: Mirsad Rakaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme