Blinken merr mbështetjen e Turqisë – Asnjë lëshim ndaj ISIS-it në Siri, ndikim për armëpushimin në Gaza

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua këtë premten në Ankara me homologun e tij turk Hakan Fidan. Duke folur për gazetarët, Blinken theksoi se ata janë të fokusuar tek e ardhmja e Sirisë, ndërsa me homologun turk diskutuan mbi përpjekjet e grupit të Shtetit Islamik për t’u riaktivizuar pas rënies së regjimit të Bashar al-Asad. Ai theksoi se Uashingtoni dhe Ankaraja do të sigurohen që ky kërcënim të mos ngrejë krye sërish.
“Ne punuam shumë për të siguruar eliminimin e kalifatit të Shtetit Islamik dhe duhet të sigurohemi që një kërcënim i tillë të mos ngrejë sërish krye. Është e domosdoshme që ne t’i ruajmë ato arritje”, u shpreh Antony Blinken, Sekretar i Shtetit i SHBA.
Sekretari i Shtetit tha se ai i kërkoi Turqisë që të përdorë ndikimin e saj tek Hamasi, për të bërë që lëvizje islamike palestineze të binte dakord për një armëpushim në Gaza.
“Diskutuam për domosdoshmërinë që Hamasi t’i thotë ‘po’ marrëveshjes dhe pengjet të kthehen në shtëpi. E çmojmë shumë rolin që mund të luajë Turqia me Hamasin. Kam parë në dy javët e fundit ka shenja më inkurajuese se kjo është e mundur”, tha Blinken.
Mbrëmjen e së enjtes, sekretari amerikan zhvilloi bisedime edhe me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan në aeroportin e Ankarasë. Blinken mbërriti në kryeqytetin turk pas vizitës në Jordani, ndërsa administrata “Biden” po bën përpjekjet e fundit diplomatike për arritjen e paqes në Lindjen e Mesme
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




