Bojkoti i avokatëve vijon në GJKKO/Gjobiten avokatët e Veliajt, pezullohen afatet e paraburgimit

Aktualitet | 52 minuta më parë

Avokatët e Erion Veliajt janë gjobitur me nga 10 mijë lekë të reja, pasi munguan në seancën e fundit në Gjykatën e Posaçme, në kuadër të bojkotit të nisur nga avokatët kundër rregullores së re të GJKKO-së.

Gjyqtarja Elsa Ulliri pezulloi edhe afatet e paraburgimit për krye bashkiakun e Tiranës, i cili është i vetmi person nën masën e arrestit në burg në dosjen ndaj tij.

Bojkoti ka sjellë ndërprerjen e një sërë procesesh në GJKKO, përfshirë edhe atë ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili këtë të martë u paraqit në gjykatë për dosjen e Sterilizimit.

Beqaj po gjykohet për akuzat e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën dhe të grupit të strukturuar kriminal.

Ndërkohë, Ilir Beqaj ndodhet nën masën e arrestit në shtëpi për dosjen SASPAC, pas përfundimit të afateve të paraburgimit.

Bojkoti i avokatëve ka vijuar prej 9 shtatorit, duke sjellë shtyrjen e seancave dhe pezullimin e afateve të paraburgimit në disa prej proceseve të GJKKO-së.

Gazetare: Lusi Pergjegji

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme