Borrell i ashpër me Rusinë: Ne nuk duam një Luftë të Tretë Botërore

Botë | 4 vite më parë

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se BE-ja do ta vazhdojë përkrahjen financiare dhe ushtarake për Ukrainën, por pa u bërë pjesëmarrëse në luftën me Rusinë.

“Ne duhet ta mbajmë baraspeshën mes përkrahjes ushtarake për Ukrainën dhe të mos konsiderohemi një pjesëmarrës agresiv në luftë. Ne nuk e duam një Luftë të Tretë Botërore”, tha shefi i diplomacisë së BE-së në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Afër përvjetorit të parë të nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, Borrell tha se BE-ja duhet t’i dërgojë sa më shpejt tanket luftarake në Ukrainë, ndërsa shtoi se vendet anëtare do ta shqyrtojnë kërkesën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për aeroplanë luftarakë.

Megjithatë, ai përmendi edhe opsionin e bisedimeve për paqe, të cilin Zelensky e quajti më 20 shkurt si “dialog të padobishëm” pasi që tha se “ne nuk jemi në pozicion për të ndryshuar sjelljen e Rusisë”.

 “Është normale që Ukraina po lufton për integritetin e vet territorial. Dhe ne e përkrahim integritetin territorial dhe Kartën e OKB-së. Më falni, nuk jemi ne, nuk janë ukrainasit. Është Karta e OKB-së që bazohet në integritetin territorial të të gjithëve brenda kufijve të tyre të njohur ndërkombëtarisht. Kjo është diçka që është gurthemeli i rendit tonë ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Dhe rregulli më i rëndësishëm është zgjidhja paqësore e konflikteve, respektimi i sovranitetit të shteteve dhe respekti për integritetin e tyre territorial. Pa dyshim që presidenti [i Ukrainës, Zelensky e kërkon këtë“, tha Borrell.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian Borrell gjithashtu se tha sanksionet e vendosura nga BE-ja për gazin dhe naftën ruse kanë dëmtuar Rusinë, por se pasojat e luftës që nisi më 24 shkurt të vitit të kaluar po i vuajnë edhe të tjerët.

“E gjithë bota është duke paguar shtrenjtë për këtë: ngritje të çmimeve të elektricitetit, energjisë, ushqimit, inflacionit dhe rritjes së ulët ekonomike. Të gjithë në botë po i paguajnë pasojat e vendimit të [presidentit rus, Vladimir] Putinit për pushtimin e Ukrainës”, tha Borrell.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme