Britani/ Mijëra njerëz në radhë për t’i bërë nderimet e tyre Mbretëreshës Elizabeth II

Mijëra njerëz kanë qëndruar në radhë gjatë natës për t’i bërë nderimet e tyre Mbretëreshës Elizabeth II, ndërsa arkivoli i saj është vendosur në Westminster Hall.
Ka radhë të gjata prej 3 kilometrash përgjatë Bregut Jugor të lumit Thames ndërsa njerëzit presin të shohin arkivolin. Trupi u dërgua në Londër nga Skocia, ku të enjten e kaluar mbretëresha Elizabeth II dha frymën e fundit në moshën 96-vjeçare.

Duke kaluar në të dyja anët e arkivolit, qytetarët ulën kokën në shenjë respekti, ndërsa disa nuk i mbajnë as lotët. Rreth 750,000 njerëz pritet t’i bëjnë nderimet e tyre mbretëreshës Elizabeth në prag të funeralit të saj të hënën.

Shumica dërrmuese e atyre që presin me durim me orë të tëra për të qenë pranë arkivolit mbretëror janë britanikë. Megjithatë, disa janë turistë që ndodheshin në Londër në këtë moment historik.
Funerali i Mbretëreshës do të mbahet të hënën më 19 shtator./ BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




