Bursa për studime Master në Britani, në UNIKO prezantohet programi i Ambasadës Britanike në Shqipëri
Në ambientet e Universitetit “Fan Noli” në Korçë është zhvilluar një takim me përfaqësues të Ambasadës Britanike për prezantimin e bursave “Chevening”.
Sipas Nastjana Mustës, koordinatore e programit, këto bursa të plota për studimet Master mbështesin të gjithë të rinjtë profesionistë të cilët kanë një vizion të qartë për profesionin e tyre.
Janë gjithsej 15 bursa. Akomodimi dhe tarifa e universitetit paguhet nga ambasada. Koordinatorja Musta shpjegoi se janë një sërë kushtesh të cilat duhet të plotësohen.
“Ambasada shpërndan bursa për studentë dhe të rinj të shkëlqyer, dhe u jep mundësinë të studiojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Të gjitha tarifat e studimit janë të mbuluara nga qeveria britanike dhe ne sërish kemi kënaqësinë të lançojmë që aplikimet janë të hapura edhe për këtë vit akademik. Duhet të keni një diplomë Bachelor, sepse programet që ofrojnë janë vetëm Master. Gjithashtu duhet të kenë të paktën dy vite eksperiencë pune. Eksperienca e punës mund të jetë punë vullnetare, internship i papaguar. Pra, të gjitha lejohen. Anglishtja patjetër duhet të jetë e një niveli të mirë për arsye se studimet do të jenë fizikisht në universitetet atje. Çdo gjë tjetër varet nga dëshira e mirë e të rinjve për të aplikuar dhe sa ambicie kanë për ta zgjeruar karrierën e tyre. Pas përfundimit të studimeve duhet të kthehen në Shqipëri për një periudhë të paktën dyvjeçare. Ky është një kriter i panegociueshëm i bursës,” tha znjsh. Musta.
Koordinatorja e programit theksoi se do të zhvillojë biseda me të gjitha universitetet e vendit për t’u dhënë mundësi të mira studimi të gjithë atyre që plotësojnë kushtet dhe që kanë synim marrjen e një diplome në çdo universitet që ata dëshirojnë, për të qenë sa më të plotësuar nga ana akademike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





