Cilat janë shtatë mrekullitë e botës moderne?

Shtatë mrekullitë e botës moderne, përfaqësojnë disa nga strukturat arkitekturore më mbresëlënëse dhe domethënëse të krijuara nga njeriu gjatë historisë.
Kjo listë, e zhvilluar pas një procesi votimi global, përfshin struktura që përfaqësojnë kryevepra arkitekturore dhe gjithashtu dëshmojnë për aftësinë e njeriut për të krijuar vepra të jashtëzakonshme, duke pasqyruar kulturën, historinë dhe identitetin e kombeve të tyre.

Petra (Jordani)- Petra është një vend arkeologjik në Jordani, i vendosur rreth 250 km në jug të kryeqytetit Aman, i ndërtuar 2000 vjet më parë. Fasadat e shumta të gdhendura në shkëmb, shumica prej tyre varre, e bëjnë atë një monument unik, të shpallur në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s më 6 dhjetor 1985. Në vitin 2007, Petra u shpall një nga shtatë mrekullitë e botës moderne.

Muri i Madh i Kinës (Kinë)- Muri i Madh i Kinës përbëhet nga një seri shumë e gjatë muresh të vendosura në Kinën e sotme. Ai u shpall një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 1987 dhe u përfshi ndër shtatë mrekullitë e botës moderne në vitin 2007. Ajo u ndërtua nga viti 215 para Krishtit me urdhër të perandorit Qin Shi Huang. Matjet e bëra në vitin 2012 me instrumentet më të fundit teknologjike tregojnë se Muri i Madh është 8850 km i gjatë.

Machu Picchu (Peru)- Është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, e zgjedhur në vitin 2007 si një nga shtatë mrekullitë e botës moderne. Është vendi i tretë arkeologjik më i madh në botë pas gërmimeve të Pompeit dhe Ostia Antica.

Koloseu (Itali)- Koloseu, i njohur fillimisht si Amfiteatri Flavian, i vendosur në qendër të qytetit të Romës, është amfiteatri romak më i madh në botë (duke mbajtur rreth 50,000 deri në 87,000 spektatorë).

Chichén Itzá (Jukatan), Meksikë- Chichén Itzá është një kompleks i rëndësishëm arkeologjik Maya i vendosur në Meksikë, në veri të Gadishullit Jukatan. Rrënojat, të cilat mbulojnë një sipërfaqe prej 3 km², i përkisnin një qyteti të madh që ishte një nga qendrat më të rëndësishme të rajonit rreth periudhës epiklasike të qytetërimit Maya, midis shekujve 6 dhe 11.

Tāj Maḥal (Indi)- Tāj Maḥal është një mauzoleum i vendosur në Agra, India veriore i ndërtuar në vitin 1632 nga perandori Mughal Shah Jahān në kujtim të gruas së tij të dashur Mumtāz Maḥal. E regjistruar më 9 dhjetor 1983 në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe në 2007 në listën e Shtatë mrekullive të reja të botës, ajo është konsideruar gjithmonë një nga bukuritë më të shquara të arkitekturës myslimane në Indi.

Krishti (Brazil)- Statuja, e bërë prej betoni e ndërtuar ndërmjet viteve 1922 dhe 1931, është një simbol i Brazilit dhe përfaqëson Krishtin, Shëlbuesin e Njerëzimit, i renditur ndër shtatë mrekullitë e botës moderne në vitin 2007. Statuja mund të arrihet nëpërmjet një linjë hekurudhore që lidh statujën me qytetin e Rio de Janeiro. Përpara vitit 2002, për të arritur në statujë ishte e nevojshme të ecësh 222 shkallët që e ndanin atë nga terminali i linjës hekurudhore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




