Dhuna ndaj 17-vjeçares në Fier, Skënder Hita: Përjashtuam nga Policia një efektiv të përfshirë në marrëdhënie të papërshtatshme me vajzat dhunuese

Aktualitet | 3 muaj më parë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar sot lidhur me rastin e rëndë të dhunës në Fier, ku tre 17-vjeçare ushtruan dhunë ndaj bashkëmoshatares së tyre. Ai bëri të ditur se hetimet kanë zbuluar përfshirjen e një efektivi policie në veprime të papërshtatshme dhe në një marrëdhënie me vajzat e përfshira në ngjarje.

Sipas Hitës, ndaj punonjësit të policisë fillimisht është marrë masa e pezullimit nga detyra, ndërsa sot është vendosur edhe përjashtimi i tij nga radhët e Policisë së Shtetit.

“Kjo video që është transmetuar në rrjetet sociale është vërtetë e rëndë, ku shihen disa të mitura që kryenin veprime të dhunshme ndaj një personi tjetër dhe për këtë arsye që më 9 qershor policia ka kryer veprimet procedurale dhe ka referuar rastin në Prokurori. Më pas gjatë veprimeve hetimore që janë zhvilluar në vazhdimësi së bashku me Prokurorinë ka vijuar ndjekja penale. Njëra nga gocat ka pasur rast të përsëritur dhune dhe është arrestuar në ditët në vijim, por hetimi nuk ka ndaluar këtu. Me hetimin ka rezultuar i përfshirë edhe një punonjës policie më vonë, për të cilin kemi marrë masën e pezullimit nga detyra, masën e përjashtimit ditën e sotme për oficerin e policisë të përfshirë në veprime të pahijshme për një punonjës policie. Hetimet vazhdojnë dhe do marrim të gjitha masat e nevojshme në bashkëpunim me prokurorinë”, tha kryepolici Hita.

Më tej ai sqaroi gjatë konferencës së sotme me gazetarët se polici ka cenuar figurën e punonjësit të policisë.

“Nuk është evidentuar se ka nxjerrë videon, por pezullimi i tij është urdhëruar për shkelje të standardit dhe të cenimit të rëndë të figurës që ka bërë punonjësi i policisë në krye të detyrës pasi ka hyrë në një marrëdhënie të panevojshme me vajzat që kanë kryer këtë veprim të kundërligjshëm ndaj të miturës tjetër”, deklaroi Hita.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme