Djegia e mbeturinave përfundon në zjarr të pakontrolluar, arrestohet 31-vjeçari

Një 31-vjeçar është arrestuar nga Policia e Fierit, pasi dyshohet se ndezi zjarr për djegien e mbeturinave në një tokë në fshatin Kreshpan, ndërsa flakët u përhapën në sipërfaqe të tjera për shkak të erës së fortë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Në pranga ka rënë shtetasi A. T., 31 vjeç, banues në fshatin Kreshpan, i cili akuzohet për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. Sipas Policisë, nga hetimet e kryera për zjarrin e rënë një ditë më parë, dyshohet se 31-vjeçari kishte ndezur zjarr për të djegur mbeturina në një tokë që e kishte marrë me qira. Për shkak të erës së fortë, flakët janë përhapur në sipërfaqe të tjera toke në fshat, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar shërbimet e Policisë së Fierit, 4 mjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë. Pas ndërhyrjes, është bërë e mundur shuarja e vatrave të zjarrit, ndërsa nuk janë raportuar pasoja për jetën e njerëzve apo banesat. Policia u ka bërë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, veçanërisht djegien e mbetjeve bujqësore apo pastrimin e tokave përmes zjarrit.
Njoftimi i plotë:
Fier/ Ndezi zjarrin në fshatin Kreshpan, që u përhap për shkak të erës dhe shkaktoi dëme të mëdha, arrestohet në flagrancë 31-vjeçari. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin A. T., 31 vjeç, banues në fshatin Kreshpan, Fier, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. Ky shtetas u arrestua pasi nga hetimet e kryera për zjarrin e rënë dje, në fshatin Kreshpan, dyshohet se ka ndezur zjarr për djegien e mbeturinave në një tokë që kishte marrë me qira dhe për shkak të erës së fortë, flakët janë përhapur në sipërfaqe të tjera toke në fshat, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar shërbimet e Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, 4 mjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë, të cilët, pas ndërhyrjes, kanë bërë të mundur shuarjen e vatrave të zjarrit, pa pasoja për jetën e njerëzve apo banesat. Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, pasi pasojat mund të jenë të rënda për jetën e njerëzve, pronën dhe mjedisin. Në mënyrë të veçantë, Policia apelon për banorët që djegin mbetje bujqësore apo kryejnë pastrimin e tokave dhe territoreve nëpërmjet djegies, që të shmangin këto praktika, pasi mund të shkaktojnë përhapje të pakontrolluar të zjarreve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




