Dosja AKSHI/ GJKKO lë në burg Ergys Agasin, avokati Haxhia: Ra akuza për pengmarrje, shtohet akuza e korrupsionit pasiv
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të lërë në burg biznesmenin Ergys Agasi, i arrestuar dy ditë më parë pas rreth tetë muajsh në arrati, në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e AKSHI-t.
Agasi u arrestua mbrëmjen e së mërkurës në zonën e Plepave në Durrës, pas një ndjekjeje nga policia që kishte nisur në Elbasan. Pas arrestimit, ai u transferua nga ambientet e bllokut të sigurisë drejt GJKKO-së, ku u zhvillua seanca për masën e sigurisë.
Në përfundim të seancës, gjykata vendosi masën “arrest në burg” për Ergys Agasin, duke pranuar kërkesën e SPAK. Biznesmeni dyshohet se qëndron në krye të një grupi të strukturuar kriminal, i cili, sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, përmes konkurrencës së pandershme, presioneve dhe ndikimit, paracaktonte tenderat në AKSHI.
Agasi akuzohet për disa vepra penale, mes tyre “grup i strukturuar kriminal”, “konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, dhe “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Në vijim të hetimeve, ndaj tij është shtuar edhe akuza për korrupsion pasiv.
Megjithatë, pas përfundimit të seancës, avokati i Agasit, Maks Haxhia, ka dhënë detaje mbi qëndrimin e mbrojtjes dhe atë që është diskutuar gjatë procesit gjyqësor.
Haxhia deklaroi se një prej akuzave të ngritura ndaj klientit të tij, ajo për “heqjen e paligjshme të lirisë”, nuk qëndron pas analizimit të provave të administruara në dosje, por i është shtuar akuza e korrupsionit pasiv.
“Problemi është që akuza e heqjes së paligjshme të lirisë në drejtim të zotit Agasi, me analizat që iu bënë provave të administruara dhe vendimeve të prokurorisë, tregoi dhe çoi në çlirimin e kësaj akuze në ngarkim të zotit Agasi”, deklaroi avokati.
Sipas Haxhias materialet e paraqitura deri tani nuk janë të mjaftueshme për të provuar përgjegjësinë e klientit të tij. Në lidhje me akuzën për korrupsion pasiv, avokati tha se ajo është paraqitur në këtë fazë të procesit dhe se, sipas tij, materialet e administruara deri tani nuk japin siguri për mbështetjen e saj.
“Akuza për korrupsion pasiv, pasiguria e materialit të paraqitur deri tani e ka ndjekur akuzën për të qëndruar në pozitat e presionit ndaj gjykatës. Sot u paraqit kjo akuzë”, u shpreh Haxhia.
Avokati tha gjithashtu se vetë Ergys Agasi ka dhënë shpjegime para gjykatës dhe ka mohuar përfshirjen në tendera apo në një grup kriminal.
“Klienti foli dhe dha shpjegime dhe insistoi e provoi se nuk ka qenë kurrë pjesëmarrës në tendera, nuk ka pasur asnjë përfitim nëpërmjet tenderimit dhe nuk ka qenë pjesë e grupeve kriminale në presione të ndryshme”, deklaroi Maks Haxhia.
Sipas mbrojtjes, Agasi nuk ka marrë pjesë në procedurat e tenderimit dhe nuk ka përfituar prej tyre. Pretendimet e tij tashmë do të shqyrtohen gjatë vijimit të procesit gjyqësor.
Në kuadër të hetimeve, autoritetet kanë vendosur sekuestro mbi një numër të konsiderueshëm pasurish që lidhen me Ergys Agasin.
Në total janë sekuestruar 29 prona, mes tyre apartamente, vila dhe sipërfaqe toke në zona të njohura të Tiranës dhe Durrësit. Po ashtu, janë sekuestruar llogari bankare dhe asete në disa kompani.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



