Dosja “Balluku”, thirren për deklarime dy ish-drejtues të KESH dhe ARRSH

Aktualitet | 44 minuta më parë

Prokuroria e Posaçme vijon veprimet procedurale në kuadër të dosjes “Balluku”. Gazetarja Lusi Përgjegji raportoi për RTSH se këtë të mërkurë është paraqitur në ambientet e SPAK ish-drejtori i KESH, Erald Elezi, i cili është thirrur nga oficerët e BKH-së për të dhënë sqarime në lidhje me hetimet.

Elezi, i marrë i pandehur në këtë dosje, është nën masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”. Hetimet lidhen, ndër të tjera, me procedurat e tenderimit për Tunelin e Llogarasë dhe Lotin 4 të Unazës së Madhe.

Ndërkohë, rreth orës 14:00 është thirrur për të dhënë deklarime shtesë edhe ish-drejtori i ARRSH-së, Gentian Gjyli, i cili gjithashtu është marrë i pandehur në kuadër të së njëjtës çështje.

Të dy ish-drejtuesit janë nën hetim për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera, ndërsa SPAK vijon me veprimet hetimore në dosjen ku është e pandehur edhe ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.

Pritet të shihet nëse në listën e personave që do të thirren për të dhënë deklarime do të jetë edhe Balluku, e cila akuzohet për shkelje të barazisë në tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe po hetohet edhe për procedura të tjera tenderuese.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme