Duhej të ishte zhdukur, shkencëtarët zbulojnë misterin e planetit që i “shpëtoi vdekjes”

Shkencëtarët kanë zbuluar një planet misterioz që duhej të ishte shkatërruar tashmë. Planeti, i quajtur 8 Ursae Minoris b, u identifikua në vitin 2015 në Rrugën e Qumështit, por sipas shkencëtarëve duhej të ishte “përpirë” nga një yll afër vdekjes.
Studiuesit tani besojnë se 8 Ursae Minoris b i shpëtoi atij fati sepse ylli që po vdiste dikur kishte një shoqërues që ndaloi zgjerim e tij, proces që i ndodh një ylli pasi konsumon gazin e tij.
“Asnjë sistem planetar si ky nuk është zbuluar më parë. Ky është i pari, i cili është shumë i veçantë“, shpjegon astrofizikani Dimitri Veras në Universitetin e Warwick, i cili asistoi studiuesin kryesor Marc Hon nga Universiteti i Hawait.
Shkencëtarët shpjegojnë teoritë e tyre duke folur për fatin e sistemit tonë diellor.
Toka dhe planetët e tjerë në sistemin tonë diellor rrotullohen rreth diellit, një yll i mbushur me gazra që digjen.
Dielli është aktualisht ai që quhet xhuxh i verdhë dhe po djeg hidrogjen, por një ditë do të fillojë të vdesë. Kur kjo të ndodhë, ai do të bëhet një gjigant i kuq dhe do të zgjerohet ndjeshëm, duke konsumuar Mërkurin, Venusin dhe ndoshta Tokën.
Ai shkatërrim nga një yll në zgjerim është pikërisht ajo që duhet të kishte ndodhur me 8 Ursae Minoris b.
Por një yll shoqërues duket se e ka shpëtuar planetin, shpjegon Marc Hon, i cili bëri vëzhgimet duke përdorur teleskopin hapësinor TESS. Shkencëtarët besojnë se planeti dikur rrotullohej rreth dy yjeve që ishin në faza të ndryshme të jetës.
Njëri ishte një gjigant i kuq, i cili djeg hidrogjenin derisa nxehet aq shumë sa bërthama e tij e heliumit ndizet dhe fillon të tkurret. Tjetri ishte një yll më i vjetër, një xhuxh i bardhë që digjte helium.
Studiuesit besojnë se bërthama e heliumit në gjigantin e kuq u ndez kur ai gëlltiti yllin e tij shoqërues, duke i dhënë një ndalesë të parakohshme zgjerimit të tij të fuqishëm.
8 Ursae Minoris b ishte atëherë e lirë të vazhdonte të rrotullohej rreth yllit të bashkuar.
Një tjetër teori e paraqitur nga shkencëtarët është se planeti u formua nga materiali i hedhur me dhunë nga bashkimi i dy yjeve.
Por ata thonë se kjo është një ide shumë më spekulative.
“Shumica e yjeve janë në sisteme binare, por ne ende nuk e kuptojmë plotësisht se si planetët mund të formohen rreth tyre. Është e besueshme që shumë sisteme planetare të veçanta mund të ekzistojnë për shkak të ndikimit të shoqëruesve binare“, shpjegon Dr Hon./ BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




