Dy javë mirëseardhjeje për studentët e rinj, Universiteti i Shkodrës e nis me risi vitin akademik

Aktualitet | 1 vit më parë

Viti i ri akademik 2025–2026 në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” do të nisë ndryshe sivjet për studentët e rinj. Risia lidhet me dy javët e para të procesit mësimor, të cilat drejtuesit i kanë quajtur “javët e mirëseardhjes”.

Gjatë kësaj periudhe, studentët e vitit të parë do të kenë mundësi të njihen me ambientet, shërbimet dhe mënyrën e zhvillimit të procesit akademik në këtë universitet.

“Dy javët e para do të jenë ajo që ne e kemi quajtur ‘javët e mirëseardhjes’. Do të jenë javë informimi për studentët me të gjitha shërbimet që universiteti ofron. Studentët e vitit të parë do të kenë takime me informues, me të gjitha sekretaritë përkatëse dhe me dekanët e departamenteve. Kjo është një risi e vlefshme, në mënyrë që një student që futet për herë të parë në Universitetin e Shkodrës të dijë si të menaxhojë jetën e tij studentore“, tha Eliana Laçej, zëvendësrektore e Universitetit të Shkodrës.

Ndërkohë, këtë të premte është mbyllur raundi i parë i regjistrimeve për studentët e rinj, ndërsa javën e ardhshme nis faza e dytë.

Në raundin e parë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” u regjistruan afro 670 studentë. Degët më të preferuara rezultuan ato të Shkencave Mjekësore, Fakulteti Ekonomik dhe Informatika.

Raundi i dytë i aplikimeve nis më 20 shtator, ndërsa regjistrimet do të zhvillohen nga data 29 shtator deri më 8 tetor.

Gazetar: Adrian Hoti 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme