Eksperti i sigurisë Kallanxhi: Kamerat e shtëpive mund të ekspozohen online, kujdes me fjalëkalimet dhe të dhënat personale

Aktualitet | 4 orë më parë

Eksperti i sigurisë Tomi Kallanxhi, i ftuar në studion e emisionit “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH, foli për rreziqet që sjellin rrjetet sociale, pajisjet inteligjente dhe përdorimi i inteligjencës artificiale në sigurinë dhe privatësinë e përdoruesve.

Kallanxhi u ndal te mënyra se si përdoruesit ekspozojnë në rrjetet sociale të dhëna nga jeta e tyre e përditshme, duke publikuar video, fotografi apo informacion mbi vendndodhjen dhe hapësirat ku jetojnë. Sipas tij, kjo mund t’i bëjë ata më të cenueshëm ndaj vjedhjeve apo sulmeve të ndryshme, përfshirë edhe ato në hapësirën virtuale.

“Rrjetet sociale po humbasin atë kontekstin e gjërave reale, por po ngarkohen gjithnjë e më shumë me materiale të gjeneruara nga inteligjenca artificiale. Kjo është njëkohësisht pozitive dhe negative. Në njëfarë mënyre, gjenerata të ndryshme përdorin avatarë për të ndarë jetën e tyre virtuale në rrjetet sociale, ndërsa breza të tjerë ndajnë jetën e tyre reale. Por, të mos harrojmë se kjo gjë na bën edhe më vulnerabël. Duke ndarë hapësira të ndryshme, video ku tregojmë se ku ndodhemi apo foto të shtëpisë sonë, siç e the edhe ti, mund të bëhemi pre e vjedhjeve ose e sulmeve të ndryshme që mund të na ndodhin, qoftë edhe në kontekstin virtual, me njerëz që mbajnë kamera në shtëpi. Kjo është një nga problematikat që do ta prekim gjatë diskutimit. Në kohën e inteligjencës artificiale, diçka që unë e përdor shpesh, mund të arrijë deri aty sa edhe një 12-vjeçar të na hakojë”, u shpreh eksperti.

Një pjesë të diskutimit Kallanxhi ia kushtoi kamerave të sigurisë dhe pajisjeve inteligjente që lidhen me internetin. Ai paralajmëroi se përdorimi i fjalëkalimeve të paracaktuara dhe mungesa e masave të sigurisë mund t’i bëjnë këto pajisje të cenueshme ndaj aksesit të paautorizuar.

“Profili është publik, fatkeqësisht, dhe të dhënat janë të ekspozuara publikisht. Kjo nuk do të thotë se dikush ka të drejtë t’i përdorë ato të dhëna. Por sot, dark web-i është i mbushur me gjëra nga më të çuditshmet dhe më të ekzagjeruarat. Sot, në dark web, njerëzit shesin pamje nga kamerat e shtëpive të personave të ndryshëm. Por, për mendimin tim, dua të rikthehem përsëri te AI, sepse është një temë shumë e nxehtë. Sot, inteligjenca artificiale mund të arrijë të hakojë sisteme. Vetëm para gjashtë muajsh, një djalë francez, duke eksperimentuar me ato fshesat robotike që pastrojnë dyshemenë, vendosi të komandonte njërën prej tyre me levën e PlayStation-it. Gjatë eksperimentit, zbuloi se mund të kontrollonte të gjitha fshesat robotike të lagjes me levën e tij të PlayStation-it. Praktikisht, nga një statistikë që lexova para pak ditësh, mbi 45% e kamerave që njerëzit mbajnë nëpër shtëpi kanë fjalëkalimin e paracaktuar, “admin”. Pra, fjalëkalimin “admin123!”. Në momentin që ti e ke këtë fjalëkalim, je shumë i cenueshëm. Çështja është se këto kamera nuk përfundojnë thjesht në duart e komshiut, që të të shikojë ty. Ato ekspozohen në internet dhe mund të shihen nga njerëz të ndryshëm, të cilët mund të shohin se çfarë ndodh në shtëpinë tënde. Madje, sot ka faqe të ndryshme në internet që i shesin këto pamje dhe, në varësi të asaj që ndodh brenda një shtëpie, pamjet nga ajo kamerë mund të kenë një çmim më të lartë”, tha ai.

Eksperti ngriti gjithashtu pikëpyetje për sigurinë e të dhënave që mblidhen nga pajisjet inteligjente, veçanërisht nga produkte të kompanive për të cilat përdoruesit nuk kanë informacion të mjaftueshëm mbi mënyrën se si ruhen dhe përpunohen të dhënat.

“Këto janë edhe produkte nga kompani që ne nuk e dimë se cilat janë, ku ruhen të dhënat, ku dërgohen ato dhe nëse regjistrohen apo jo. Nuk e dimë as nëse këto të dhëna transmetohen në kohë reale diku tjetër, sepse, në momentin që e lidhim kamerën me Wi-Fi-n e shtëpisë, ajo merr akses në internet. Pasi kamera lidhet me internetin, pamjet që regjistron mund të ruhen edhe diku tjetër, në një server apo në një hapësirë tjetër online. Kompanitë kineze të kamerave janë akuzuar shumë herë për shkelje të privatësisë dhe të mbrojtjes së të dhënave të regjistruara’, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme