Estonia mbyll kufijtë me Rusinë, Reinsalu: Shoqëria ruse përgjegjëse morale mbi mizorinë në Ukrainë

Estonia do të mbyllë kufirin për më shumë se 50 mijë rusë me viza të lëshuara më parë. Ndalimi vjen vetëm katër ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy lëshoi një thirrje të re për shtetet e BE-së që të ndalojnë vizat për shtetasit rusë, në mënyrë që blloku të mos bëhet një “supermarket” i hapur për këdo që ka mjetet për të hyrë. Estonia është vendi i parë në Bashkimin Evropian që merr këtë vendim.
Reuters raporton se me hapësirën ajrore evropiane të mbyllur për rusët, shumë prej tyre kanë udhëtuar përmes vendeve kufitare baltike dhe Finlandës për të fluturuar në pjesë të tjera të Evropës me viza Shengen. Vizat lejojnë 90 ditë udhëtim brenda zonës Shengen me 26 vende, pa kufij.
“Ne do të sanksionojmë të gjitha vizat Shengen që janë aktualisht të vlefshme, përveç disa rasteve humanitare dhe familjare,” tha Ministri i Punëve të Jashtme të Estonisë, Urmas Reinsalu. Rreth 2,500 rusë hyjnë në Estoni çdo ditë, rreth gjysma e tyre me viza Shengen. Për më tepër, rreth 9% e banorëve të Estonisë janë shtetas të huaj, shumica prej tyre rusë. Reinsalu tha se taksapaguesit rusë që vizitonin Evropën po financonin gjithashtu luftën e Rusisë në Ukrainë.
“Ne duhet të pranojmë se shoqëria ruse, në përgjithësi, mban gjithashtu përgjegjësi morale pasive për këto mizori, që ndodhin në tokën ukrainase. Përgjegjësia ligjore është mbi Putinin, rrethin e tij të ngushtë dhe këta ekzekutues të gjenocidit. Por sigurisht, përgjegjësia morale qëndron edhe mbi këtë shtet dhe qytetarët e tij,” tha Reinsalu.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




