“Fiat Topolino” ndalet në Korçë- Ekspozitë retro për turizmin dhe historinë e automobilizmit

Turizëm | 1 vit më parë

Korça priti një nga ndalesat më të veçanta të turit “Të njohim Shqipërinë – FIAT Topolino”, duke sjellë në Pazarin e Vjetër të qytetit 20 automjete klasike italiane të prodhuara mes viteve 1936–1955.

Ekspozita tërhoqi interesin e madh të banorëve dhe turistëve, të cilët patën mundësinë të njiheshin nga afër me ikonën e automobilizmit europian.

Me pjesëmarrjen e pilotëve nga Shqipëria dhe Italia, ky aktivitet nuk ishte vetëm një festë për pasionantët e makinave retro, por edhe një promovim i turizmit kulturor dhe historik të qytetit.

“Donim që të shikonim Shqipërinë, të njihnim jetën e shqiptarëve. Çdo gjë na dukej e bukur, turizmi këtu është elitar dhe themi që bëmë shumë mirë që erdhëm këtu,” – u shpreh një prej turistëve.

Ndërsa një tjetër u shpreh se: “Jam për herë të parë në Shqipëri dhe më pëlqen shumë. Ka një pamje të mrekullueshme. Udhëtuam nga Gjirokastra në Korçë dhe rruga ishte vërtet relaksuese.”

“Është vizita e parë dhe për mua në Shqipëri dhe ka qenë përtej pritshmërive. Rrugët e reja janë të bukura, por të vështira për këto makina të vjetra italiane. Unë kam një model të vitit 1950 – janë makina ikonë të Italisë që kanë kaluar luftë, revolucion dhe kanë parë më shumë se kushdo,” – u shpreh një tjetër turist.

Fiat Topolino, simbol i thjeshtësisë dhe dizajnit elegant italian, pas më shumë se tetë dekadash vazhdon të ngjallë emocione dhe të mbajë gjallë historinë e automobilizmit.

Korça, me traditën e saj të aktiviteteve retro, u kthye edhe një herë në një qendër atraktive të guidave turistike dhe ngjarjeve të veçanta.

Gazetare: E. Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme