Fluks vizitorësh të huaj në Fier, gjermanë e anglezë zgjodhën bregdetin e tij gjatë gushtit

Aktualitet | 1 vit më parë

Turizmi në Fier këtë verë ka njohur rritje të ndjeshme, duke joshur përveç pushuesve vendas edhe grupe të shumta turistësh të huaj të sjellë nga operatorët zonalë.

Në muajin gusht, gjermanët dhe anglezët kanë qenë më të pranishmit në plazhet e Adriatikut, të tërhequr nga natyra e paprekur, rëra me veti kurative dhe mjedisi i pasur.

Ushqimi tradicional dhe hapësirat e gjera me rërë janë ndër pikat më të forta të turizmit në Fier. Ndonëse çmimet janë pothuajse të njëjta me zonat fqinje, turizmi këtu po përmirësohet nga dita në ditë.

“Jemi mbajtur shumë fort te gastronomia, te parqet arkeologjike që ka qyteti, plazhet… Këto kemi dashur t’i reklamojmë dhe na i kanë pëlqyer, sidomos turistët nga Gjermania. Edhe grupet nga Anglia e kanë pëlqyer pjesën e bregdetit dhe të gastronomisë,” tregon Matilda Voja, operatore turistike.

Nga ana e tij, nënvizon se qyteti ende nuk ofron kapacitete të mëdha hotelerie, megjithëse ndodhet vetëm pak kilometra nga vija bregdetare. Sipas tij, plani i zhvillimit do të hapë më shumë mundësi në të ardhmen.

Akomodimi i grupeve turistike deri tani është bërë kryesisht në bujtina dhe shtëpi komode në fshatrat pranë bregdetit, duke ofruar një eksperiencë autentike për vizitorët.

Gazetare: Laureta Roshi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme