Ndërtohet infrastruktura e sigurisë në Forumin Romak të Butrintit / Rama: Çdo ditë punohet për ta përcjellë brez pas brezi këtë pasuri të jashtëzakonshme

Turizëm | 2 orë më parë

Në Parkun Kombëtar të Butrintit vijojnë ndërhyrjet për ruajtjen dhe konservimin e trashëgimisë kulturore, përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e një përvoje më të mirë për vizitorët.

Kryeministri Edi Rama ka bërë publike sot pamje nga puna që po kryhet çdo ditë për të ruajtur e përcjellë brez pas brezi këtë pasuri të jashtëzakonshme të historisë sonë.

Në kuadër të bashkëpunimit me Ancient Rome Live, Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit ka nisur fazën e parë për konservimin dhe mbrojtjen e Forumit Romak në Parkun e Butrintit.

Një ditë më parë ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka bërë të ditur se puna në Butrint po vijon në disa drejtime, në bashkëpunim me Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit.

“Në Butrint po punohet çdo ditë për të ruajtur trashëgiminë, për të përmirësuar përvojën e vizitorëve dhe për ta bërë komunitetin pjesë të jetës së Parkut”, është shprehur Gonxhja.

Sipas tij, ndërhyrjet përfshijnë konservimin e rrënojave të Forumit Romak, ngritjen e një infrastrukture të re sigurie, si dhe punime riparuese në Kullën Veneciane. Paralelisht, është punuar për përmirësimin e infrastrukturës së parkut, me synim rritjen e sigurisë dhe lehtësimin e lëvizjes së vizitorëve.

Një tjetër nismë është projekti “Butrinti për të gjithë”, me synimin për t’u ardhur në ndihmë personave me vështirësi në lëvizje, duke krijuar kushte më të përshtatshme për një vizitë gjithëpërfshirëse.

Përveç ndërhyrjeve infrastrukturore dhe të konservimit, në Butrint zhvillohen edhe aktivitete kulturore, ndërsa përmes granteve mbështetet komuniteti lokal dhe sigurohet përfshirja e tij në jetën e parkut.

Sipas ministrit Gonxhja, angazhimi për Butrintin shkon përtej ruajtjes fizike të monumenteve, duke përfshirë kërkimin shkencor, kulturën, aksesueshmërinë dhe bashkëpunimin me komunitetin.

Parku Kombëtar i Butrintit është një zonë e mbrojtur që ndodhet në jug të vendit, pranë qytetit të Sarandës.

Ai përfshin qytetin antik të Butrintit, një nga vendbanimet më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, i cili u shpall Monument Kulture në vitin 1948.

Në vitin 1992 Butrinti u përfshi në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si një vend me rëndësi të jashtëzakonshme kulturore dhe natyrore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme