FOTOT- Aksion kontrolli në Shëngjin, masa ndaj abuzimeve me hapësirat publike dhe parkingjet

Një aksion i gjerë kontrolli është zhvilluar sot përgjatë vijës bregdetare të Shëngjinit, me fokus te abuzimet me hapësirat publike dhe çmimet e parkingjeve. Ky aksion u ndërmor nga një grup i përbashkët pune, i përbërë nga përfaqësues të Bashkisë Lezhë, Policisë Bashkiake, Drejtorisë së Urbanistikës, Drejtorisë së Taksave dhe Njësisë Administrative.
Kontrollet u përqendruan në disa pika kyçe si abuzimet me çmimet e parkingjeve, verifikimi i tarifave dhe rregullave të aplikueshme për parkingjet në zonën bregdetare; kontratat e stacioneve të plazheve ku u verifikuan kontratat e subjekteve private që menaxhojnë stacionet e plazheve, përfshirë edhe ato të administruara nga kompania “Lezha Invest”; zënia pa të drejtë e hapësirave publike ku kontrolli synoi identifikimin e rasteve ku hapësirat publike, veçanërisht në stacionet e plazheve, ishin zënë pa autorizim.
Si rezultat i këtij aksioni, janë konstatuar një sërë shkeljesh. Për subjektet që kanë shkelur ligjin, janë marrë masa administrative, janë vendosur gjoba dhe janë kryer sekuestrime. Gjithashtu, disa raste janë referuar pranë Drejtorisë së Tatimeve për hetim të thelluar tatimor, duke sinjalizuar mundësinë e evazionit fiskal apo parregullsive të tjera financiare.
Ky aksion është pjesë e një plani më të gjerë të autoriteteve lokale për të siguruar rendin, transparencën dhe barazinë për të gjithë operatorët turistikë dhe qytetarët gjatë sezonit veror në Shëngjin. Qëllimi është të ofrohet një përvojë më e mirë dhe më e rregullt për pushuesit, duke garantuar se burimet dhe hapësirat publike menaxhohen në mënyrë të drejtë dhe ligjore.
Aksionet e tilla pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim për të siguruar zbatimin e rreptë të rregullave dhe për të luftuar fenomenet abuzive që dëmtojnë imazhin e turizmit dhe shfrytëzimin e ligjshëm të hapësirave publike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



















