Franca dhe Egjipti dalin kundër ofensivës izraelite në Gaza

Botë | 3 vite më parë

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidenti egjiptian Abdel Fattah El-Sisi kanë dalë kundër  ofensivës izraelite në qytetin jugor të Gazës, Rafah.

Sipas njoftimit të presidencës franceze, Macron dhe Sisi ndanë gjatë telefonatës së tyre “shqetësimin ekstrem për përkeqësimin e situatës tashmë katastrofike humanitare në Gaza dhe pengesat për dërgimin e ndihmave”, duke theksuar nevojën për të rritur urgjentisht fluksin e ndihmës në Gaza.

“Të dy presidentët shprehën kundërshtimin e tyre të vendosur ndaj një ofensive izraelite në Rafah, e cila do të çonte në një katastrofë humanitare në një shkallë të re, si dhe ndaj çdo zhvendosjeje të detyruar të popullsisë drejt territorit egjiptian, që do të përbënte shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe do të përbënte një rrezik shtesë të përshkallëzimit rajonal”, tha presidenca franceze.

Ndërkaq, dy sulme ajrore izraelite në Rafah vranë të paktën 13 palestinezë sipas Dr. Marëan Al-Homss, drejtori i përgjithshëm i Spitalit Qeveritar Abu Yousuf Al-Najjar.

Izraeli ka bombarduar Rafah me sulme ajrore për javë të tëra dhe thotë se është i përkushtuar për një ofensivë tokësore në qytet, duke pretenduar se ka hapësirë për palestinezët e zhvendosur që të lëvizin në veri, transmeton CNN. 

Palestinezët atje thonë se nuk kanë ku të shkojnë. Disa janë përpjekur të ikin në veri në Deir al-Balah qendrore, ku mjekët raportuan gjithashtu sulme ajrore vdekjeprurëse të shtunën.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme