Ftesa e qeverisë për magjistratët, Sadushi: Jo tryezë për pagat, çështja në duart e Kushtetueses

Aktualitet | 52 minuta më parë

Kryetari i Gjykatës së Lartë rikonfirmon se vijon të jetë i të njëjtit mendim, i cili u artikulua edhe gjatë së premtes, sa i përket ftesës së kreut të qeverisë, Edi Rama për çështjen e pagave të magjistratëve.

Përmes një përgjigje të dërguar në drejtim të kryeministrit, Sokol Sadushi deklaron, se Gjykata e Lartë nuk do të përfaqësohet në këtë tryezë, që pritet të drejtohet nga kryeministri Rama dhe që janë thirrur edhe institucionet e Drejtësisë dhe shoqatat e ndryshme të magjistratëve.

Sadushi thekson, se mbështet një dialog që të ketë në fokus drejtësinë dhe qytetarin, por risjell në vëmendje qëndrimin se çështja e pagave të magjistratëve është në duart e Gjykatës Kushtetuese, ndaj diskutimi për këtë temë do të ishte i pavend.

“Pas ftesës së datës 18 shtator ka ndodhur një zhvillim institucional që nuk ekzistonte në atë moment dhe që lidhet drejtpërdrejt me objektin e tryezës. Ligji i ri për pagat i është nënshtruar kontrollit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo rrethanë e re ndikon në vlerësimin tim si në kohën ashtu dhe përmbajtjen e dialogut. Për një çështje kushtetuese tashmë të shtruar për gjykim. Fjala i përket Gjykatës kushtetuese, për rrjedhojë dialogu për këtë mund të jetë substancial dhe efektiv pasi ajo të jetë shprehur”, shkruan Sadushi.

Por nga ana tjetër, ai thekson, se qëndrimi i tij nuk do të thotë se mbyll hapësirën për një dialog institucional.

“Drejtësia ka nevojë për një tryezë me një dimension më të gjerë, kushtuar funksionimit dhe konsolidimit të sistemit dhe problemeve që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe kohën e dhënies së drejtësisë. Për hapjen e këtij dialogu, gatishmëria ime dhe institucionit që përfaqësoj mbetet e plotë. është një dialog i nevojshëm dhe tashmë i vonuar. Do të mirëprisja zhvillimin sa më parë të një tryeze me këtë temë dhe me këtë dimension një dialog ndërmjet pushteteve me qytetarin në qendër”, shkruan ai.

Shoqatat e magjistratëve kanë kundërshtuar vendimin e shumicës parlamentare, e cila nuk ndërmori asnjë veprim që të miratonte një formulë të re brenda 31 korrikut të këtij viti, siç udhëzonte Gjykata Kushtetuese për pagat e magjistratëve.

Qeveritë e gjyqësorit dhe akuzës miratuan nivelin e pagave për muajin gusht, duke iu referuar vendimit të GJK, por Ministria e Financave nuk miratoi veprimet e Thesarit për kalimin e pagave

Magjistratët bënë kallëzim në SPAK për ministrin e Financave ndërsa vunë në lëvizje gjykatën Administrative, e cila urdhëroi anulimin e vendimit të ministrit, dhe kalimin e pagave për gjykatat e prokuroritë në të gjithë vendin.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme