Gjermani/ Aeroportet në grevë, anulohen qindra fluturime

Qindra fluturime janë anuluar këtë të hënë(13 mars) në aeroportet gjermane për shkak të pezullimit të punës së stafit përgjegjës për kontrollet e sigurisë. Aeroporti Ndërkombëtar i Berlinit, ai i Bremenit dhe Hamburgut njoftuan se nuk do të kenë fluturime, gjë që do të ndikojë edhe në disa fluturime në ardhje.
Aeroporti i kryeqytetit gjerman anuloi rreth 200 fluturime, duke prekur 27 mijë udhëtarë. Udhëtarëve u kërkohet të kontaktojnë kompanitë e tyre ajrore për të mësuar statusin aktual të fluturimit të tyre.
Aeroporti i Hamburgut njoftoi se nuk do të ketë nisje të planifikuara për të hënën, ndërsa greva e sindikatës “Verdi” mund të shkaktojë anulime dhe vonesa edhe për mbërritjet.
Sindikata “Verdi” kërkon rritje pagash në valën e inflacionit, kompensim më të lartë për punën jashtë orarit dhe natën dhe përmirësim të kushteve të punës. Sindikata gjermane e punëtorëve tha se në të kaluarën përpjekjet për të përmirësuar situatën për punëtorët e këtij sektori, kanë rezultuar me pak përparim.
Këto janë të fundit në një seri grevash dhe protestash me të cilat po përballen ekonomitë e mëdha europiane, duke përfshirë ato të Francës, Britanisë dhe Spanjës, pasi çmimet e larta të ushqimeve dhe energjisë kanë prekur të ardhurat dhe standardet e jetesës pas pandemisë Covid-19 dhe luftës në Ukrainë.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




