Gjykata lë në burg ish-bashkëshortin e Xhuana Nikollajt, zbardhet dëshmia e 25-vjeçarit: Vetëm një herë e kam dhunuar

Aktualitet | 48 minuta më parë

Gjykata e Tiranës ka lënë në masën e sigurisë “arrest në burg” Eraldo Fizin, i akuzuar për dhunë në familje dhe shkaktim të vetëvrasjes së ish-bashkëshortes së tij, Xhuana Nikollaj. Gjatë seancës gjyqësore, Fizi ka mohuar se ka ushtruar dhunë në mënyrë sistematike ndaj ish-bashkëshortes, duke pranuar vetëm një rast dhune.

“Vetëm një herë e kam dhunuar, jo sistematikisht siç pretendohet”, mësohet të ketë deklaruar Fizi para gjykatës.

25-vjeçari u vetëdorëzua dy ditë më parë në Policinë e Lezhës, më shumë se gjashtë muaj pas ngjarjes së rëndë që çoi në vdekjen e Xhuana Nikollajt. Ai ishte shpallur në kërkim nga autoritetet, pasi ndaj tij rëndojnë akuzat për dhunë në familje dhe shkaktim të vetëvrasjes.

Xhuana Nikollaj, 25 vjeçe, nga Shëngjini, i dha fund jetës pasi konsumoi fostoksinë. Sipas hetimeve, autoritetet dyshojnë se dhuna e ushtruar ndaj saj nga ish-bashkëshorti mund të ketë ndikuar në vendimin e saj për t’i dhënë fund jetës. Fizi dhe Nikollaj ishin martuar në vitin 2025, por martesa e tyre zgjati rreth tre muaj, përpara se çifti të ndahej.

Pas vetëdorëzimit, 25-vjeçari është marrë në pyetje nga grupi hetimor, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të dokumentuar rrethanat e plota të ngjarjes dhe përgjegjësinë e tij të mundshme në lidhje me akuzat.

Njoftimi i plotë:

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, sot më datë 02.10.2026, mori në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaj personit nën hetim E.F., me objekt: “Marrjen në pyetje të personit të arrestuar.”, parashikuar nga neni 248 i Kodit të Procedurës Penale, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” të parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal.

Gjykata, në përfundim të gjykimit të çështjes, pas shqyrtimit të provave të paraqitura, në mbështetje të neneve 228, 229, 238 dhe 248 të Kodit të Procedurës Penale:

V E N D O S I:

  1. Pranimin e kërkesës.
  2. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg” të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale të caktuar ndaj personit nën hetim E. F. me vendimi Nr.643 Regj.Them. datë 16.03.2026 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke urdhëruar mbajtjen e tij në një institucion paraburgimi.
  3. Urdhërohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për ekzekutimin e këtij vendimi.
  4. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit Juridiksionit të Përgjithshëm brenda 5 ditëve duke filluar ky afat nga e nesermja e njoftimit të këtij vendimi.
  5. U shpall në Tiranë, sot në datë 02.10.2026. Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme