Gjykata liron nga burgu nënën me tre fëmijë, pezullohet ekzekutimi i dënimit

Aktualitet | 3 muaj më parë

Gjykata e Tiranës ka vendosur të shtyjë ekzekutimin e dënimit me burg për 34-vjeçaren D.S., nënë e tre fëmijëve, duke urdhëruar lirimin e saj nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale për gratë në Pojskë, ku qëndronte së bashku me foshnjën e saj njëvjeçare.

Vendimi u mor këtë të enjte, pas kërkesës së paraqitur nga avokati mbrojtës, Bari Shyti, i cili kërkoi pezullimin e ekzekutimit të vendimit të formës së prerë. Me pranimin e kërkesës nga gjykata, 34-vjeçarja u lirua menjëherë nga vuajtja e dënimit.

Ajo u arrestua pak ditë më parë në pikën kufitare të Muriqanit, teksa po kthehej në Shqipëri me familjen nga Gjermania. Sipas autoriteteve, ndaj saj ishte në fuqi një vendim i formës së prerë, që e dënonte me dy muaj burg për veprën penale të dhunës në familje ndaj vjehrrit të saj.

Pas njoftimit nga policia për ekzistencën e vendimit, ajo u paraqit vullnetarisht në Komisariatin nr. 6 në Tiranë dhe më pas u transferua në burgun e grave në Pojskë. Fillimisht, foshnja e saj njëvjeçare qëndroi jashtë institucionit, por një ditë më vonë iu bashkua nënës, në përputhje me të drejtën ligjore që u lejon të dënuarave të mbajnë pranë fëmijët nën moshën tre vjeç. Dy fëmijët e tjerë të mitur, 7 dhe 2 vjeç, mbetën në kujdesin e familjarëve.

Rasti shkaktoi reagime të shumta publike dhe institucionale. Avokati i Popullit vizitoi gruan në institucionin e vuajtjes së dënimit dhe kërkoi verifikimin e procedurave të ndjekura, ndërsa Presidenca deklaroi se po e ndiqte nga afër çështjen dhe se ishte e gatshme të shqyrtonte edhe mundësinë e faljes presidenciale.

Me vendimin e Gjykatës së Tiranës, ekzekutimi i dënimit është shtyrë, ndërsa çështja do të vijojë të ndiqet sipas procedurave ligjore për sa i përket vendimit penal të dhënë ndaj 34-vjeçares.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme