Gjyqtarët dhe prokurorët çojnë në Kushtetuese ligjin e ri të pagave: Të shfuqizohet dhe pezullohet

Aktualitet | 42 minuta më parë

Shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për shfuqizimin në tërësi të ligjit të ri për pagat dhe statusin e magjistratëve, të miratuar nga Kuvendi më 18 shtator 2026 dhe të dekretuar nga Presidenti një ditë më pas. Përveç shfuqizimit, tre organizatat kërkojnë edhe pezullimin e zbatimit të ligjit deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Kërkesa është depozituar nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.

Në themel të kundërshtimit është, ndër të tjera, mënyra se si është ndjekur procedura parlamentare për miratimin e ndryshimeve. Shoqatat pretendojnë se ligji nuk është shoqëruar me një proces real konsultimi, pavarësisht detyrimit që, sipas tyre, kishte vendosur Gjykata Kushtetuese.

Në kërkesën drejtuar Kushtetueses thuhet se përfaqësuesit e magjistratëve dhe institucionet e sistemit të drejtësisë janë njoftuar për pjesëmarrjen në seancat dëgjimore parlamentare vetëm pak minuta përpara zhvillimit të tyre.

Nga komunikimet elektronike të administruara rezulton se më datë 15.09.2026 shoqatat përfaqësuese të magjistratëve dhe institucionet e sistemit të drejtësisë u njoftuan për pjesëmarrjen në seancat dëgjimore parlamentare vetëm pak minuta përpara zhvillimit të tyre”, thuhet në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Shoqatat argumentojnë se ky afat nuk u ka dhënë mundësi reale përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë që të njiheshin me projektligjin dhe amendamentet, të analizonin pasojat juridike dhe financiare dhe të përgatisnin një qëndrim institucional.

Afati tejet i shkurtër i njoftimit nuk u siguronte subjekteve të ftuara një mundësi reale për t’u njohur plotësisht me variantin e projektligjit dhe amendamentet përkatëse, për të kryer analizën e pasojave juridike e financiare, për të koordinuar qëndrimin institucional dhe për të përgatitur një përfaqësim efektiv në dëgjesë”, theksohet më tej.

Një tjetër pjesë e kërkesës lidhet me pezullimin e zbatimit të ligjit.  Sipas tyre, ekziston rreziku që pritja deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese të lejojë krijimin ose konsolidimin e pasojave që ato i konsiderojnë të rënda.

Urgjenca lidhet me kohën e fillimit dhe shpejtësinë e prodhimit të efekteve, veçanërisht kur ligji hyn në fuqi menjëherë ose vepron prapa në kohë.

Në përfundim të kërkesës, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e plotë të ligjit, si dhe pezullimin e zbatimit të tij deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Ligji i kundërshtuar ndryshoi formulën e përllogaritjes së pagës referuese të magjistratëve, duke e çuar koeficientin nga 0.36 në 0.38 të pagës së Presidentit të Republikës. Ligji parashikon gjithashtu që paga referuese bazë të indeksohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Efektet financiare janë parashikuar të llogariten në mënyrë prapavepruese nga 1 prilli 2023.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor që të ulen në një tryezë të përbashkët pune për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme