Kuvendi miraton ligjin për pagat e drejtësisë, Rama: Askush nuk mund t’i vendosë afate Parlamentit
Pas një seance maratonë dhe debateve që zgjatën për orë të tëra, Kuvendi i Shqipërisë miratoi në orët e para të mëngjesit projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”. Projektligji, i propozuar nga deputetët Aulona Bylykbashi dhe Admir Kadeli, u miratua me 84 vota pro, 24 kundër dhe 1 abstenim.
Debati në Kuvend u përqendrua veçanërisht te kriza e pagave në sistemin e drejtësisë dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në diskutimet e tij, kryeministri Edi Rama u ndal te çështja e afateve që, sipas tij, nuk mund t’i vendosen Kuvendit nga një pushtet tjetër.
Duke folur në Kuvend, Rama deklaroi se mazhoranca është e detyruar të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por kundërshtoi idenë se një vendim gjyqësor mund t’i diktojë Kuvendit mënyrën se si duhet të votojë një ligj.
“Dhe kjo tjetra: ‘Respekto vendimin e Gjykatës Kushtetuese’. Respekto vendimin e Gjykatës? Patjetër, patjetër! Por ama, kurrë një Gjykatë Kushtetuese nuk i thotë dot një ligjvënësi: ‘Çoje ti dorën kështu, se e vendosa unë’.”
Kryeministri theksoi se, sipas tij, në këtë rast Gjykata Kushtetuese nuk ka përcaktuar mënyrën e votimit, por ka lënë hapësirë për diskrecion ligjvënës. “Dhe fatmirësisht, në këtë rast nuk e ka thënë. Ka lënë diskrecion të plotë. Për sa i përket shkeljes së afatit, nuk i vihen Kuvendit afate. Është një tjetër nonsens. Nuk mund t’i thotë askush Kuvendit, përveçse vetë anëtarët e tij, se kur do të mblidhet dhe se për çfarë do të mblidhet”, deklaroi ai.
Rama solli si shembull debatet që zhvillohen në Kuvend për rendin e ditës dhe kundërshtoi, sipas tij, idenë se një institucion tjetër mund të përcaktojë kohën kur duhet të mblidhet parlamenti. “Këtu bëhen katër orë debate për rendin e ditës. Si del një pushtet tjetër atje dhe thotë: ‘Do të mblidheni ju deri në datën 31’? Se po nuk u mblodhët deri në datën 31, në datën 1 ne do të mësyjmë dyert e Thesarit. Si është kjo?”, pyeti Rama.
Kryeministri u ndal edhe te pretendimet se mosrespektimi i një afati mund të sillte përgjegjësi për institucionet përkatëse. Rama tha se përgjegjësia mund të mbahet nëse ka shkelje, por kundërshtoi interpretimin se një afat i tillë mund të krijojë automatikisht një kompetencë të re për një pushtet tjetër.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




