Gonxhja: Turizmi po transformohet. Fokusi, te kapitali njerëzor dhe profesionalizmi

Aktualitet | 1 orë më parë

Turizmi shqiptar po kalon në një etapë të re zhvillimi, ku krahas rritjes së numrit të vizitorëve, vëmendja po zhvendoset te cilësia e shërbimeve, standardet e mikpritjes dhe fuqizimi i burimeve njerëzore. Kështu u shpreh ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, gjatë forumit “Future Hospitality”, të organizuar nga Agjencia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve. Sipas Gonxhes, rritja e interesit nga tregjet ndërkombëtare, investimet e reja dhe zgjerimi i ofertës turistike po e transformojnë sektorin, duke sjellë njëkohësisht kërkesa më të larta për cilësinë dhe profesionalizmin. Ministri theksoi se objektivi nuk është vetëm tërheqja e një numri më të madh turistësh, por që kjo rritje të shoqërohet me shërbime më cilësore, standarde më të larta dhe vende pune të specializuara.

“Suksesi i një destinacioni matet jo vetëm nga numri i njerëzve që e vizitojnë atë, por edhe nga përvoja që ata marrin me vete, nga kohëzgjatja e qëndrimit, nga besimi i tyre për t’u rikthyer dhe, mbi të gjitha, nga vlera që ata krijojnë për ekonominë vendase”, deklaroi Gonxhja.

Ai solli në vëmendje transformimin e sektorit të mikpritjes në Shqipëri, duke nënvizuar se vendi ka kaluar në një periudhë relativisht të shkurtër nga një treg me ofertë të kufizuar në një destinacion ku janë pozicionuar edhe marka të njohura ndërkombëtare. Të dhënat më të fundit, sipas ministrit, tregojnë vijimin e rritjes së kërkesës turistike. Gjatë korrikut të këtij viti, numri i vizitorëve të akomoduar në strukturat turistike u rrit me 15.2% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa vizitorët jorezidentë shënuan një rritje prej 18.3%. Gonxhja paralajmëroi se rritja e numrit të turistëve duhet të ecë paralelisht me përmirësimin e cilësisë së ofertës.

“Një destinacion nuk mund të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme nëse kërkesa rritet më shpejt se cilësia. Prandaj, një nga sfidat kryesore për vitet në vijim është të sigurojmë që investimet në infrastrukturën e mikpritjes të shoqërohen me investime po aq të rëndësishme në kapitalin njerëzor”, u shpreh ministri. Sipas tij, eksperienca e turistëve dhe dëshira e tyre për t’u rikthyer janë tregues po aq të rëndësishëm sa edhe numri i vizitorëve që mbërrijnë në vend.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme