Hezbollahu njofton vdekjen e një komandanti

Botë | 2 vite më parë

Hezbollahu njoftoi vdekjen e një komandanti vetëm disa orë pasi ushtria izraelite tha se e kishte vrarë atë në një sulm në periferi jugore të Bejrutit.

Në një deklaratë, grupi i mbështetur nga Irani njoftoi vdekjen e “komandantit Ibrahim Mohammed Kobeissi”, i cili “u martirizua rrugës për në Jerusalem”, shprehja që Hezbollahu përdor për t’iu referuar luftëtarëve të vrarë nga forcat izraelite.

Sipas ushtrisë izraelite, Kobeissi, i cili komandonte disa njësi, duke përfshirë një njësi raketash të drejtuara me precizion, u vu në shënjestër së bashku me komandantët e tjerë të forcave raketore të Hezbollahut.

Ibrahim Kobeissi i ishte bashkuar lëvizjes shiite libaneze në vitet 1980 dhe mbante disa poste ushtarake, duke përfshirë kreun e njësisë Badr, përgjegjës për një nga tre zonat operative të Hezbollahut në Libanin jugor, sipas ushtrisë izraelite.

Ky sulm erdhi një ditë pas një sulmi të ngjashëm që synoi një tjetër zyrtar të Hezbollahut në periferitë jugore, por nuk rezultoi në asnjë viktimë.

Sipas Hezbollahut, objektivi, Ali Karaké, i shpëtoi sulmit.

Një burim libanez i sigurisë raportoi gjithashtu se Izraeli kreu një sulm të ri në orët e fundit kundër Saadiyat, një qytet që ndodhet në bregdetin rreth njëzet kilometra në jug të Bejrutit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme