Hita: Pas dhunës në protestë qëndrojnë individë të rekrutuar, jo studentë

Aktualitet | 40 minuta më parë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se kryeqyteti po përballet prej afro 72 orësh me një valë dhune, sulmesh, zjarrvëniesh dhe plaçkitjesh, duke akuzuar organizatorët e protestës për përdorimin e personave të rekrutuar për të nxitur trazira dhe për të sulmuar institucionet shtetërore, pronën publike dhe atë private.

Në një konferencë për mediat, Hita bëri me dije se si pasojë e përplasjeve të ditëve të fundit janë plagosur 71 punonjës të Policisë së Shtetit, disa prej tyre me dëmtime të rënda.

“Prej gati 72 orësh, kryeqyteti po përballet me një valë dhune, sulmesh, zjarrvëniesh dhe shkatërrimesh ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike dhe private, duke vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Në këto ngjarje deri në këto momente, gjatë përmbushjes së detyrës për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike, janë plagosur 71 punonjës të Policisë së Shtetit, disa prej tyre me dëmtime të rënda”, u shpreh Hita.

Kreu i Policisë theksoi se e drejta për protestë është e garantuar me Kushtetutë, por sipas tij ajo nuk mund të përdoret për të justifikuar akte dhune, grabitjeje dhe dëmtimi të pronës.

“Dua të jem shumë i qartë: Policia e Shtetit garanton të drejtën kushtetuese të çdo qytetari, studenti apo force politike për të protestuar paqësisht. Por protesta nuk mund të jetë mburojë për dhunën, zjarrvënien, grabitjen dhe shkatërrimin e pronës publike e private. Policia e Shtetit nuk është pronë e asnjë partie politike. Ajo është institucion i Republikës, në shërbim të ligjit dhe qytetarëve. Misioni ynë është të mbrojmë jetën, pronën, institucionet dhe rendin publik, pa dallim.”

Një pjesë të rëndësishme të deklaratës së tij, Hita ia kushtoi të rinjve që marrin pjesë në protesta, duke u bërë thirrje prindërve, mësuesve dhe pedagogëve që të mos lejojnë përfshirjen e tyre në akte dhune.

Sipas tij, personat e maskuar që po udhëheqin sulmet ndaj policisë dhe institucioneve nuk janë studentë, por individë të rekrutuar nga organizatorët e protestës.

“U bëj thirrje prindërve, mësuesve dhe pedagogëve të mos lejojnë që nxënësit e gjimnazeve dhe studentët të përdoren apo të përfshihen në akte dhune të organizuar. Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të kërkojnë dhe të kundërshtojnë, por askush nuk duhet t’i përdorë si mburojë për të sulmuar institucionet, për të djegur dhe shkatërruar pronën e qytetarëve. Siguria dhe e ardhmja e tyre janë përgjegjësi e përbashkët e familjes, shkollës dhe e shtetit.”

Hita shkoi edhe më tej, duke deklaruar se personat që veprojnë të maskuar nuk përfaqësojnë studentët dhe se pas tyre qëndrojnë organizatorë brenda dhe jashtë vendit.

“Pas maskave që udhëheqin protestën me shembullin e dhunës, nuk janë studentë, por janë individë të rekrutuar për qëllimet e errëta të organizatorëve të vërtetë të kësaj proteste, brenda dhe jashtë vendit. Fakti është se nga të gjithë të ndaluarit natën e parë të protestës së dhunshme asnjë nga personat nuk rezultoi student. Ndërsa nga të ndaluarit e natës së dytë, pas djegies dhe plaçkitjes masive, një numër shumë i vogël ishin studentë.”

Duke iu drejtuar efektivëve të Policisë së Shtetit, drejtori i përgjithshëm garantoi mbështetjen e plotë institucionale për veprimet e tyre ligjore në terren.

“Në këtë përballje me dhunën, keni mbështetjen time të plotë si Drejtor i Përgjithshëm dhe mbështetjen institucionale të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Qeverisë Shqiptare për çdo veprim të ligjshëm në përmbushje të detyrës. Çdo sulm ndaj uniformës blu është sulm ndaj autoritetit të ligjit dhe shtetit. Kushdo që ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë, ka dëmtuar institucionet, pronën publike dhe private, do të identifikohet dhe do të përballet me ligjin.”

I pyetur nga gazetarët për përdorimin e gazit lotsjellës në zonat urbane gjatë protestave, Hita mbrojti veprimet e policisë, duke i konsideruar ato të domosdoshme për shkak të nivelit të lartë të dhunës.

“Të gjithë kanë qenë në lartësinë e detyrës së tyre. Guri dhe breshëria e gurëve ka qenë aq e madhe, sa ka qenë e pamundur ndërhyrja me formë tjetër, përveç se me gaz lotsjellës.”

Në mbyllje të konferencës, kreu i Policisë së Shtetit u bëri thirrje protestuesve të distancohen nga personat e maskuar dhe paralajmëroi se ligji do të veprojë ndaj kujtdo që përfshihet në akte dhune, plaçkitje dhe shkatërrim prone.

“Mos e ngatërroni vetëpërmbajtjen e Policisë së Shtetit me dobësinë. Policia nuk tërhiqet përballë dhunës. Institucionet do të mbrohen. Qytetarët do të mbrohen. Ligji do të zbatohet me vendosmëri dhe pa asnjë përjashtim.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme