Holandezët zbulojnë Elbasanin. Kalaja, mikpritja dhe historia mahnitin vizitorët e shumtë
Një grup turistësh nga Holanda vizituan qytetin e Elbasanit, duke shprehur habi dhe admirim për Kalanë historike, një nga simbolet më të lashta të qytetit.
Gjatë guidës, ata shëtitën mes mureve të kalasë, vizituan Xhaminë e Mbretit dhe Kishën Ortodokse, ku u ndalën veçanërisht për të përjetuar bashkëjetesën fetare që karakterizon këtë zonë.
“Nuk e prisnim që Elbasani të kishte një histori kaq të pasur dhe një atmosferë kaq autentike. Është një vend që të ngroh shpirtin. Do të kthehemi patjetër”, shprehet turisti.
“Elbasani është i mrekullueshëm dhe miqësor, njerëzit janë shumë të mirë. Më tërheq alegria në kafene dhe gjithçka tjetër. E dashur Shqipërinë. Gjendem për herë të parë dhe ndihem e magjepsur nga ky vend”, shprehet turistja.
Për ta udhëzuar më mirë, turistëve iu bashkua edhe ciceroni Albi Daja, i cili tregoi për rëndësinë që ka Kalaja në trashëgiminë kulturore shqiptare.
Ai theksoi se Elbasani po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje nga turistët e huaj që kërkojnë përvoja të thella kulturore.
“Turizmi në Elbasan është një nga pikat kyçe pas lidh Tiranën me qytete të tjera. Turizmi në Elbasan po njeh një zhvillim të qëndrueshëm vit pas viti. Ka interes gjithnjë në rritje nga vizitorë të huaj që kërkojnë jo vetëm bukuritë natyrore, por sidomos historinë dhe kulturën e qytetit tonë. Do të jetë gjithmonë në rritje, gjithmonë në bazë të profesionalizmit të qytetasve të Elbasanit po ashtu”, shprehet Daja.
Vizita e turistëve holandezë tregon qartë potencialin e Elbasanit si një destinacion kulturor në zemër të Shqipërisë. Për qytetin, kjo është një mënyrë për të rikthyer historinë në qendër të vëmendjes dhe për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme turistike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





