Infermieria, degë e preferuar në Shkodër dhe me mundësi të shumta punësimi brenda vendit
Degët e Mjekësisë mbeten në krye të listës së preferencave për studentët të cilët zgjodhën të ndjekin studimet e larta në Shqipëri.
Edhe në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, Infermieria e Përgjithshme i ka ezauruar pothuajse të gjitha kuotat e lira që në fazat e para të regjistrimeve.
“Shikohet me shumë vëmendje interesi i maturantëve për të ndjekur programin e studimit Infermieri e Përgjithshme. Për këtë vit akademik ne kemi vënë në dispozicion 100 kuota. Diku te 511 maturantë kanë shprehur dëshirën për t’u bërë pjesë e këtij programi studimi,” tregon shefi i Departamentit të Infermierisë së Përgjithshme, Emiljano Pjetri.
Në Shkodër, nga kontaktet që Departamenti i Infermierisë ka me zyrat e punësimit, shihet një trend në rritje i punësimit të të rinjve në këtë sektor, paçka se ka ende kërkesa për tërheqje dokumentacioni nga studentët e diplomuar për arsye punësimi jashtë vendit.
“Jo vetëm në spitale, edhe në spitale private, klinika private, studentët me mesatare, diku te 60 për qind e tyre, na referojnë një punësim shumë të shpejtë brenda dy-tri viteve pasi kanë marrë diplomën. Faktikisht ka pasur një trend në ulje për sa i përket studentëve që kanë marrë dokumentacionin e duhur pranë Departamentit për të punuar në tregun e Bashkimit Europian. Ka ndodhur një fenomen tjetër, një rritje e atyre që synojnë përtej oqeanit, pra, si në Kanada, ashtu edhe në Amerikë,” tregon z. Pjetri.
Miratimi i projektligjit për kontratën që maturantët nënshkruan për herë të parë këtë të vit, për të punuar në profesionin e mjekut pas përfundimit të studimeve për jo më pak se tri vite, synon frenimin e fenomenit të largimit jashtë vendit në të ardhmen.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





