Informaliteti në turizëm, Shoqata e Hotelerisë në Gjirokastër ngre shqetësime
Informaliteti në sektorin e turizmit po kthehet në shqetësim për biznesin lokal në Gjirokastër përsa i përket cilësisë dhe standardeve të shërbimit për vizitorët.
Shoqata e Hotelierëve apelon se një numër i konsiderueshëm aktivitetesh, kryesisht të turizmit familjar nuk pajisen me dokumentacionin përkatës duke qenë problematikë përsa i përket cilësisë që ofrojnë për turistët.
Ndërsa në qytetin e Gjirokastrës kemi një rritje të vizitueshmërisë nga turistët, bizneset vazhdojnë të përballen me situatën e mungesës së stafit të punonjësve dhe aq më tepër atyre të kualifikuar.
“…janë hapur dhe shumë guess house, të cilët nuk e përllogarisin dot punën e tyre pasi janë kryesisht të pa licensuar. Ka pas ditë që kemi qenë mirë, por ka pas dhe ditë që kemi qenë dobët dhe do bëjmë një bilanc në fund të shohim ku jemi. Nga ana tjerët, do të punojmë shumë që të ngremë standartin dhe t’i krijojmë komoditetin e duhur”, thotë Gentian Bineri, kryetar i Shoqatës së Hotelierëve në Gjirokastër.
Për t’i shtyrë turistët të kthehen përsëri, apo të vendosin të vizitojnë Gjirokastrën, e nevojshme është përmirësimi i ofertës turistike, shprehet Bineri.
“Kemi shumë turistë francezë, të cilët nuk i kemi pasur më parë. Është shumë e rëndësishme që të shikohet si paketë kënaqësia e klientit, ardhja dhe mos ardhja e tyre është një feedback i pastër”, tha Bineri.
Përgjatë këtij viti zona e Gjirokastër është vizituar nga një numër i konsiderueshëm turistësh, pjesa më e madhe e të cilëve të huaj, ndërsa pritet një rritje e numrit të vizitorëve gjatë periudhës së verës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





