Interes për burgun e Spaçit në Mirditë, në 6-mujorin e parë të vitit e vizituan mbi 1.300 persona

Turizëm | 1 vit më parë

Një nga burgjet më famëkeqe të regjimit komunist në Shqipëri, ai i Spaçit në Mirditë, po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë, vendas dhe të huaj.

Ndonëse në gjendje të degraduar, godinat e këtij burgu janë kthyer në pikë referimi, për të gjithë ata që duan të njihen me të kaluarën e errët komuniste të vendit tonë. Sipas të dhënave zyrtare, në 6 mujorin e parë të këtij viti, Burgu i Spaçit është vizituar nga mbi 1300 persona, mes të cilëve shumë nxënës shkollash dhe turist të huaj.

“Burgu i Spaçit ka shumë interes dhe ka shumë vizitor të huaj por edhe nxënës shkollash”, u shpreh Gjet Gjoni, përgjegjës i burgut të Spaçit.

Vizitorët që zgjedhin ta shohin nga afër Burgun e Spaçit thonë se ky vend përfaqëson një pjesë të errët, por të rëndësishme të historisë së Shqipërisë.

Për ta, Spaçi është një simbol i së shkuarës që nuk duhet harruar, por duhet kujtuar për të mos u përsëritur më.

Kjo simbolizon të shkuarën e vendit tonë, një e shkuar e cila nuk duhet fshirë por që duhet trashëguar dhe të njohim vuajtjet që ka kaluar populli jonë”, u shpreh një vizitore.

“Ishte një vend shumë interesant dhe na tregoi shumë rreth torturave në këtë burg”, tha një prej vizitorëve.

Ndonëse interesi për Spaçin po vjen gjithnjë në rritje, projekti për kthimin e burgut në një muze të mirëfilltë historik vazhdon të mbetet vetëm në letër, pasi deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për realizimin e këtij synimi, ndërsa ndërtesat vazhdojnë të përballen me rrezikun e shkatërrimit të plotë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme