Izraeli: Kemi marrë kontrollin e infrastrukturës së Hamasit në Gazën qendrore

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë bërë të ditur se kanë marrë kontrollin e infrastrukturës së Hamasit në rezidencën e komandantit të brigadës së kësaj organizate në Gaza dhe vranë “dhjetëra operativë terroristë” në një operacion në Gazën qendrore.
“Ushtarët zbuluan dhe shkatërruan gjithashtu boshte tunelesh, sasi të mëdha armësh dhe gjetën materiale të inteligjencës që lidhnin xhaminë qendrore Daraj Tuffah me masakrën e 7 tetorit”, bën të ditur në njoftimin e saj IDF.
Komandanti i Brigadës 460, kolonel Dvir Edri tha se ajo tani kishte “përfunduar misionin e saj në zonën Daraj Tuffah”.
IDF ka zgjeruar sulmin e saj ushtarak në Gaza qendrore, por tha të hënën se tani ishte në gjendje të zvogëlonte numrin e ushtarëve të vendosur në Gaza. Brigada 460 është një nga njësitë që po tërhiqet për t’iu rikthyer “stërvitjes së planifikuar”.
Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes së Izraelit ka bërë të ditur se po fillon zvogëlimin e numrin e trupave të tij në Gaza. Sipas ushtrisë izraelite, kjo është shenjë e kalimit gradual të vendit në një fazë me intensitet më të ulët të luftës.
Forcat e Mbrojtjes izraelite theksuan gjithashtu se pavarësisht se ka filluar të zvogëlojë numrin e ushtarëve në terren në Gaza ndërsa përgatiten për luftime të zgjatura përgjatë vitit 2024.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë ushtruar presion ndaj zyrtarëve izraelitë që të fillojnë fazën më kirurgjikale të luftimeve, ndërsa ushtria izraelite vazhdon të synojë Hamasin.
Zyrtarët amerikanë i shohin javët e ardhshme si një periudhë kritike që do të demonstrojë gatishmërinë e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu për të kaluar në një fazë me intensitet më të ulët të ndjekjes së Hamasit në Gaza.
Më herët sekretari i Shtetit i SHBA-së Antony Blinken udhëtoi në Lindjen e Mesme për të vazhduar diskutimet me zyrtarët izraelitë rreth fazës tjetër të luftës në Gaza, të cilën amerikanët e kanë bërë të qartë se presin të fillojë së shpejti.
Udhëtimi i Blinken është vazhdim i nismës të administratës Biden për dërgimin e zyrtarëve të saj më të lartë në Izrael pothuajse çdo javë për takime të drejtpërdrejta, personalisht me kabinetin e luftës të Izraelit.
Tema e trajektores së luftës ka qenë në qendër të bisedave midis zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë, duke përfshirë një telefonatë të gjatë midis Presidentit Joe Biden dhe Netanjahut javën e kaluar që zyrtarët e përshkruan si shumë të drejtpërdrejtë dhe nganjëherë të tensionuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




